Lidhje

SHBA pritet t’i jap fund mundësisë së Rusisë për të paguar investitorët ndërkombëtarë


Treasury Secretary Janet Yellen testifies before the Senate Banking, Housing, and Urban Affairs Committee hearing, May 10, 2022, on Capitol Hill in Washington.
Treasury Secretary Janet Yellen testifies before the Senate Banking, Housing, and Urban Affairs Committee hearing, May 10, 2022, on Capitol Hill in Washington.

Shtetet e Bashkuara do të mbyllin rrugën e fundit të Rusisë për të paguar borxhet e saj prej miliarda dollarësh ndaj investitorëve ndërkombëtarë të mërkurën, duke e bërë të pashmangshëm mospagimin e borxheve për Moskën, për herë të parë që nga Revolucioni Bolshevik.

Departamenti i Thesarit tha në një njoftim se nuk planifikon të rinovojë licencën për të lejuar Rusinë të vazhdojë të paguajë borxhet e saj përmes bankave amerikane.

Që nga raundet e para të sanksioneve ndaj Moskës, Departamenti i Thesarit u ka dhënë bankave licensa për të përpunuar pagesat e obiligimeve financiare nga Rusia. Afati i këtyre licensave skadon në mesnatën e 25 majit.

Administrata e Presidentit Biden kishte dhënë sinjale se ishte e gatshme të mos e zgjaste afatin e lincencave që e lejonin Rusinë të paguante borxhet e saj përmes bankave amerikane. Në një konferencë shtypi në takimin e ministrave të financave të Grupit të Shtatë vendeve më të zhvilluara në Koenigsvinter të Gjermanisë, javën e kaluar, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se ekzistonte mundësia "për të lejuar një afat kohor për një tranzicion të rregullt në mënyrë që investitorët të ishin në gjendje t’i shisnin letrat me vlerë”.

"Kjo kishte një kohë e kufizuar", tha zonja Yellen.

Pa licencën për të përdorur bankat amerikane për të paguar borxhet e saj, Rusia nuk do të ketë aftësinë për të shlyer borxhet e marra nga investitorët ndërkombëtarë. Kremlini ka përdorur bankat amerikane JPMorgan Chase dhe Citigroup për të paguar detyrimet finanaciare.

Jay Auslander, avokat i borxhit të bonove të thesarit, i cili në të kaluarën është angazhuar në zgjidhjen e krizave të tjera të borxhit, si ajo në Argjentinë, tha se në këtë pikë shumica e investitorëve institucionalë mund të kenë shitur borxhin rus, duke e ditur se ky afat po vinte. Ata që ende mbajnë bono thesari te Rusisë janë investitorë të dëshpëruar, ose të gatshëm të presin për ta zgjidhur këtë çështje në vitet e ardhshme.

"Shumica që donin të hiqnin dorë nga borxhi rus tashmë e kanë bërë këtë. I vetmi problem është gjetja e blerësve", tha ai.

Kremlini duket se ka parashikuar gjasat që Shtetet e Bashkuara nuk do të lejonin Rusinë të vazhdonte të paguante detyrimet e saj financiare përmes bankave amerikane. Ministria ruse e Financave pagoi dy detyrime financiare të premten për të shmangur skadimin e mundshëm të licencës më 25 maj.

Pagesat e radhës që Rusia do të duhet të bëjë për borxhet e saj, duhet të realizohen më 23 qershor. Ashtu si borxhet e tjera ruse, detyrimet kanë një periudhë pagimi prej 30 ditësh. Kështu që, nëse Rusia nuk gjen një mënyrë tjetër për të paguar borxhet deri më 23 qershor, në fund të korrikut, ajo duhet të deklarojë se nuk mund të paguajë borxhin. Kjo do të mund të shmangej nëse deri në atë kohë Rusia i jep fund sulmit ndaj Ukrainës sepse shumica e sanksioenve perëndimore janë të lidhura me luftën në Ukrainë. Por, në këtë moment kjo duket e pamundur.

Rusia nuk ka dështuar me pagesat e borxheve të saj ndërkombëtare që nga Revolucioni i vitit 1917, kur Perandoria Ruse u shemb dhe u krijua Bashkimi Sovjetik. Rusia nuk arriti të paguante borxhet e saj të brendshme në fund të viteve 1990 gjatë krizës financiare aziatike, por ishte në gjendje të rimëkëmbej nga ai falimentim përmes ndihmës ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG