Lidhje

Viola von Cramon: Energjia e ripërtërishme – jetike për Evropën dhe Ballkanin


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se tranzicioni energjetik në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor tashmë është jetik, pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ajo i bëri këto komente gjatë një debati në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që po mbahet në Prishtinë, ku temë e diskutimeve ishin energjia e pastër, dekarbonizimi i Ballkanit Perëndimor dhe burimet e ripërtërishme.

“Në kohën e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që është shumë e qartë se është një luftë kundër energjisë së ripërtërishme dhe për energjinë fosile, Evropa e ka kuptuar që përfundimisht duhet të bëhet e pavarur në energji dhe të mbështetet tek vetvetja. Këtë duhet ta shohim edhe këtu në Kosovë si dhe në tërë rajonin”, tha zonja von Cramon e cila një ditë më parë ishte në Beograd ku tha se ka diskutuar për çështjen e pavarësisë energjetike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në të vërtetë pa integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në planet tona të tranzicionit energjetik gjithçka do të jetë e kotë. Ndotja nuk njeh kufi dhe termocentralet e qymyrit vrasin po ashtu edhe qytetarët e Bashkimit Evropian prandaj është në interesin tonë të përbashkët për të parë Ballkanin të gjelbër dhe të qëndrueshëm”, tha ajo.

Zonja von Cramon i bëri thirrje qeverisë që të dal sa më shpejt me strategjinë energjetike që sipas saj duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gjelbër evropiane.

Viola von Cramon: Energjia e ripërtërishme – jetike për Evropën dhe Ballkanin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha zbatimi i agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor është përparësi e punës së qeverisë.

“Konkretisht, viti që lamë pas ishte i suksesshëm në funksionimin e bashkimit të tregut energjetik me Shqipërinë prandaj shembuj të tillë të bashkëpunimit duhet në vazhdimësi të zgjerohen. Për ne zgjerimi i bashkëpunimit rajonal ka rëndësi të veçantë në avancimin e vendeve tona në procesin e integrimit evropian, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Bislimi.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të komunitetit për energji, Dirk Buschle, bëri thirrje që Kosova të hartojë ligje për energjinë e ripërtërishme që u përshtatet kushteve të saj dhe të mos marr ligje të gatshme të Bashkimit Evropian.

“Duhet një ligj që pasqyron realitetin dhe që e ndihmon Kosovën, jo vetëm si standard i vendeve evropiane, por të rrisë pjesën e saj të burimeve të ripërtërishme në mënyrën më efikase”, tha ai.

Zyrtarë të Rregullatorit të energjisë thanë se viteve të fundit janë shtuar investimet në energjinë e ripërtërishme por sipas tyre kjo ende nuk është e mjaftueshme për vendin.

Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale që prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG