Lidhje

Shaban Murati – “Rusët po vijnë...”


Shaban Murati
Shaban Murati

Studiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”. Në një intervistë më Zërin e Amerikës ai shpjegon se libri është një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Zoti Murati! Urime për botimin e ri! Pse e titulloni “Rusët po vijnë”, dhe çfarë përmban studimi?

Shaban Murati: Faleminderit që më jepni mundësinë dhe kënaqësinë të komunikoj me shikuesit e Zërit të Amerikës, kësaj media prestigjioze! Kam dashur të tërheq vëmendjen për një fenomen gjeopolitik, diplomatik dhe strategjik, që i kërcënohet Ballkanit dhe Shqipërisë, dhe natyrisht dhe çështjes tonë kombëtare, duke përfshirë dhe Kosovën. Është një fenomen jo i ditës, jo i lidhur thjesht me agresionin e fundit rus në Ukrainë, por është një fenomen që ka karakterizuar 30 vjet të post-komunizmit në Ballkan, fenomen të cilit nuk i është kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga qeveritë e quajtura demokratike dhe që erdhën në Ballkan pas shembjes së komunizmit.

Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni ju qëndrimet dhe veprimet e Rusisë ndaj Ballkanit? Çfarë synon Moska në këtë rajon?

Shaban Murati: Unë kam një analizë në libër, për të cilën them që është hera e parë që është trajtuar si çështje:Propozimi i Vladimir Putin që në 2014, pas agresionit të parë rus në Ukrainë, që kërkon rishikimin e rezultateve të Luftës së Ftohtë dhe nënshkrimin e një traktati paqeje midis palëve për të parë kufijtë e rinj të ndarjes së zonave të influencës. Kjo tregon që Rusia, e cila zëvendësoi Bashkimin Sovjetik, kërkon rimarrjen e të njëjtit statusi dhe rimarrjen e sferave të saj të influencës. E inkurajuar nga agresioni i parë i Rusisë në Ukrainë, si rezultat i të cilit ajo aneksoi një territor ukrainas si Krimeja, qendra e dytë ku do të ndodhte zhvendosja gjeopolitike e Rusisë ka qenë Ballkani. Ballkani, së pari si hallka më e dobët e sigurisë së kontinentit europian dhe së dyti si qendër e botës ortodokse. Rusia nuk ka asnjë rajon në Evropë, ku janë përqendruar vende ortodokse dhe krijohet baza e lidhjeve të vjetra të kohës cariste, komuniste e demokratike, të Rusisë për të rivendosur fuqinë e saj. Pra është një fenomen, që ka ardhur gjithmonë në rritje, e Rusia nuk mund të konkurrojë me ideale, me ide demokratike e as me standarde ekonomike ose me vlera të tjera. Rusia, e cila këto vlera europiane e perëndimore nuk i ka zbatuar asnjëherë në territorin e saj, nuk mund ta lejonte që të zbatoheshin në shtete, të cilat prireshin nga Perëndimi. Ajo do të sulmonte vlerat perëndimore, lidhjet perëndimore të Ballkanit dhe do t’i përqendronte më shumë në lidhjet ideologjike, okulte e fetare, që e kanë lidhur gjithmonë me Ballkanin.

Zëri i Amerikës: Si e keni vlerësuar këto 100 ditë të sulmit rus ndaj Ukrainës dhe rezistencën e paparashikuar të Ukrainës?

Shaban Murati: Agresioni i dytë i Rusisë në Ukrainë nuk përbën një befasi. Unë e kam ndjekur politikën ruse për 30 vjet dhe kam një libër të posaçëm për Rusinë me titull “Rusia ballkanike” ku analizoj gjerësisht marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën dhe përplasjen e parë gjeopolitike midis BE-së dhe Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë dhe agresionin e parë. Rusia në 2014 krijoi 11 Shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk mund të befasoheshim nga një sulm i dytë. Këtë ecuri unë e kam ndjekur dhe është interesante se që në fillim të 2015 sekretari amerikan i shtetit John Kerry paralajmëroi se pas Ukrainës vija e zjarrit është në Ballkan. Por Ballkani fjeti gjumë, edhe pse e paralajmëroi sekretari amerikan i shtetit. Kjo vijë zjarri do t’i afrohej Ballkanit. Në këtë kuptim agresioni i dytë rus në Ukrainë nuk përbën një befasi por është një demonstrim i qartë i ambicies së madhe imperiale, që ka presidenti i Rusisë, i cili ngutet se është 70 vjeç, dhe nuk ka më kohë të përmbushë ëndrra të tjera gjeopolitike dhe i cili nuk ka pranuar kurrë shembjen e Bashkimit Sovjetik. Ka një befasi për rezistencën e Ukrainës përballë një fuqie ushtarake të madhe si Rusia, por unë mendoj se këtu ka disa elemente. Së pari janë një popull i madh mbi 40 milionë, së dyti është një popull që mban tradita sovjetike dhe ruse, qoftë për rezistencë dhe për ushtrinë. Kanë të njëjtën shkollë e doktrinë ushtarake. Dhe e treta që është shumë e rëndësishme, është përkrahja e madhe e shteteve të perëndimit. Shtetet demokratike e mbështetën Ukrainën në pikëpamjen diplomatike e ushtarake, duke i furnizuar armatimet të cilat kishin nevojë. Krijuan një barrierë të papritur për ushtrinë ruse. E katra, mendoj se vet taktika ruse nuk është e pushtimit të menjëhershëm. Rusia e di nga eksperienca në Afganistan që nuk e mban dot të pushtuar të gjithë Ukrainën, por vetëm Donbasin dhe Donietskun. Pra janë disa elementë që e kanë ngadalësuar këtë proces dhe ka bërë që dhe vetë Putin të rishikojë strategjinë e ndërmarrjes së agresionit të tij, nga një pushtim i gjithë Ukrainës ai po synon ta bëjë atë një shtet të mbyllur nga pikëpamja tokësore e ta bëjë një shtet pa det duke pushtuar bregdetet e duke dalë në kufi me një shtet të NATO-s që është Rumania.

Zëri i Amerikës: Si i komentoi qëndrimet e Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me ngjarjet e Ukrainës?

Shaban Murati: Shqipëria veproi drejt, që u bashkua me mendimet e NATO, e kundërta do të ishte absurde, që iu bashkua dënimit të agresionit ushtarak rus, bashkimin me të gjitha deklaratat e NATO-s dhe BE-së, që u bashkua me sanksionet e BE-së dhe Amerikës ndaj Rusisë. Pra mori një qëndrim të drejtë duke u bashkuar me qëndrimin e NATO-s dhe BE-së. Ky është një qëndrim i detyrueshëm si një anëtar i NATO-s, e cila po përballet me një përplasje gjeopolitike. Mendoj se krahas Shqipërisë, edhe qëndrimi i Kosovës do të thoja se është dy herë më fisnik, duke ditur që Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ajo gjeti largpamësinë t’iu bashkohej sanksioneve dhe qëndrimeve të Europës dhe NATO-s dhe duke qenë të gatshëm për të pritur refugjatë lufte nga Ukraina, si edhe Shqipëria. Pra, kemi një rreshtim të drejtë të faktorit shqiptar nga ana e duhur, gjë që për fat të keq, nuk ndodh shpesh.

Zëri i Amerikës: Cilat janë vlerësimet tuaja për afrimin e Shqipërisë me Serbinë dhe për nismën Open Balkan?

Shaban Murati: Nga përvoja ime e gjatë në diplomaci dhe në politikën e jashtme di të them se Tirana nuk ka mësuar ende të luaj shah gjeopolitik me gjithë përvojën e saj të hidhur në marrëdhëniet me Serbinë që nga mesi i shekullit të kaluar, nuk ka mësuar nga përvoja edhe më e hidhur e Kosovës me Serbinë. Pra Shqipëria nuk po arrin të orientohet në parametrat e duhur për interesin e saj shtetëror dhe kombëtar. Dalja befas e projektit të presidentit Vuçiç për Mini-Shengen dhe për Ballkanin e hapur ishte një propozim i cili duhet të ishte menduar 10 herë përpara se të jepej një përgjigje. Ka një disinformim të qëllimshëm, që e paraqet shpesh herë Open Balkan si një nismë trepalëshe. Ky është një naivitet sepse që në 2016 Vuçiç e ka propozuar jo rastësisht në Paris nismën e krijimit të një zone të përbashkët ballkaniko-perëndimore të tregtisë së lirë dhe aty deklaron, në Paris, që ia ka dërguar propozimin të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në 2017 në një intervistë me mediat amerikane presidenti Vuçiç, i pyetur nga gazetari amerikan, deklaroi se hapur se “zona ekonomike ballkanike perëndimore është rilindja e Jugosllavisë plus Shqipërinë”. Këtë e keni në median amerikane Politiko.com në vitin 2017. Thuhet se edhe palët e tjera janë propozues, por propozuesi është thjesht Serbia. Të gjithë dokumentet e Ballkanit të Hapur, që nga Novi Sadi në 2019 e deri tani, i përgatit ministria e jashtme e Serbisë. Nuk ka zënë kapitull as ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut as ministria e jashtme e Shqipërisë. Ministria e jashtme e Shqipërisë duhet të kishte disa parametra për t’u shqyrtuar: së pari; Ç’duhej një nismë e re rajonale, kur kanë dështuar dhjetë nisma të tjera rajonale? Ç’duhej një nisme rajonale pas procesit të Berlinit? Ne kemi Procesin e Berlinit, një nismë gjermane me angazhimin e kancelares gjermane, me një fuqi ekonomike të jashtëzakonshme europiane dhe e cila kishte marrë përsipër pikërisht krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Madje edhe në 2020, kur u bë samiti i Ballkanit perëndimor nga Bashkimi Europian në Sofie, theksohet e zeza mbi të bardhë, se objektivi është krijimi i tregut të përbashkët rajonal. Atëherë, ç’është ky treg i ri, që na propozon befas Serbia?! Që në mbledhjen themeluese presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama theksojnë me forcë vet ata, që këtë nismë e bëjnë pa sponsorizimin dhe pa mentorët europianë, të shkëputur prej tyre. E dyta që është më e rëndësishme në aspektin shtetëror dhe kombëtar: si mund të pranojë Shqipëria të hyjë në një nismë të ngushtë subrajonale ndërkohë që Serbia nuk njeh Kosovën. Serbia ka deklaruar hapur që në nismën Open Balkan Kosova do të vijë si provincë. Kështu shkruhet në dokumentet zyrtare serbe. Shqipëria që është shteti amë, kështu nuk është as amë as njerkë, derisa pranon të hyjë në këtë nismë serbe, në kohën që Serbia nuk njeh Kosovën. Çfarë është kjo nismë, që ka pesë shtete dhe një provincë?! Sa për ato katër liritë e famshme të Helsinkit, unë desha të theksoj që këto shtete të Ballkanit të Hapur janë shtete ish jugosllave dhe këto liritë jugosllave ata i kanë patur në federatën jugosllave. Megjithatë ata vrapuan të iknin nga ajo federatë e përbindshme, që drejtohej nga Serbia. Pse u dashka të kthehen prapë me ato katër liri tek Serbia?! Shqipëria pse nuk ia bën këtë pyetje vetes?! Propagandat mbi fitimet ekonomike të kësaj nisme përpiqen të mbulojnë një fenomen tepër të rrezikshëm: Open Balkan nuk po lejon faktorin shqiptar të ketë kohezion në Ballkan. Strategjia bazë e Serbisë në drejtim të faktorit shqiptar me Open Balkan është çarja e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne e dimë fare mirë që tre vjetët e fundit kohezioni i faktorit shqiptar është në kuotat më të ulëta dhe sipas analizës time profesionale, mëkati, ose faji kryesor i bie Tiranës. Të tre kryeministrat që do të takohen më 7 qershor për Ballkanin e Hapur i kanë të tre presidentët e tyre kundër kësaj nisme; presidenti Pendarovski është kundër, presidenti Gjukanoviç po ashtu, edhe presidenti Meta është kundër. Atëherë, çfarë janë këta kryeministra, që nuk bindin dot as presidentët e tyre dhe kërkojnë të bindin popujt se do të fitojnë nga kjo nismë?! Këtu ka një thyerje, që duhet të na vërë në mendim. Në Mal të Zi, në zgjedhjet e gushtit 2020, kemi një inxhiniering elektoral nga Serbia dhe nga Rusia për të përmbysur regjimin në Podgoricë dhe për të sjellë një regjim anti-atlantik dhe anti-perëndimor. Serbët e bënë ndryshimin atje, gjë që u pa në ndryshimin e ligjit për fetë, duke bërë një kthim prapa. Bashkimin e tanishëm të mundshëm me Open Ballkan do ta quaja një akt regresiv.

Zëri i Amerikës: Ata ende nuk janë shprehur qartë për këtë.

Shaban Murati: Po, por ministri i mbrojtjes dhe zëvendës kryeministri është shprehur se kryeministri shkon në Open Ballkan si vëzhgues dhe se ai nuk ka të drejtë të bëhet pjesë si shtet i një nisme që nuk është në interesin e Malit të Zi. Megjithatë personat që marrin ose jo pjesë në atë nismë nuk e ndryshojnë karakterin e vet nismës. Këtu është vendi të sqaroj një spekulim të qeverisë së Shqipërisë dhe të Serbisë, sipas të cilave, departamenti i shtetit përkrah këtë nismë. Por diplomati i lartë amerikan Escobar ka përcaktuar dy elementë të rëndësishëm: Ai thotë që nisma Open Balkan do të gjejë mbështetje nëse do të jetë e varur dhe e lidhur me Procesin e Berlinit dhe nëse ajo do të ketë karakterin gjithëpërfshirës, ku do të marrin pjesë të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor. Këto elementë kjo nismë nuk i plotëson, pra edhe nga një pikëpamje më tolerante, mund të themi se kjo nismë është e gabuar dhe për mendimin tim ajo do të ketë fatin e nismave të tjera të mëparshme, si për shembull nisma serbo-malazeze Ballkan 6. Aty mori pjesë edhe Shqipëria, u bënë mbledhje ministeriale, samite dhe në fund dështoi. Kështu do të shkojë edhe kjo.

Zëri i Amerikës: Pse shuhen nismat në këtë mënyrë?

Shaban Murati: Si nisma serbo-malazeze si edhe kjo e tanishme puro serbe nuk janë nisma për integrimin europian, por janë nisma që synojnë të konsakrojnë rolin hegjemon të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo mendohet si një lloj kompensimi që disa qarqe politike në Europë duan t’ia bëjnë Serbisë dhe duan ta rikthejnë si një forcë drejtuese si ishte në kohën e federatës komuniste jugosllave.

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni pozicionimin e Kosovës në këtë situatë?

Shaban Murati: Asnjë nismë rajonale shtetërore nuk mund të jetë e suksesshme, nëse së pari nuk do të jetë e saktë në pikëpamjen formale, juridike, protokollare, ku shtetet pjesëmarrëse duhet të jenë të barabarta. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të mendohet që kjo nismë të quhet e saktë. Së dyti; dhe më e rëndësishmja, nisma Open Ballkan është kundërvënie e procesit të njohjes diplomatike të shtetit të Kosovës. Dy ditë më parë u bë betimi i presidentit të Serbisë dhe u betua që do të ruajë Kosovën si pjesë të Serbisë. Këtu ka vdekur çdo lloj dialogu dhe për mua është e habitshme se si BE-ja, qarqet diplomatike të Europës dhe ndërmjetësuesit e dialogut nuk reaguan. Si mund të pretendosh dialog, kur njëra palë kërkon të drejta koloniale mbi një palë tjetër?! Qëndrimi i qeverisë së Kosovës është pozitiv, sepse ajo ka bërë të sajën atë që unë e quaj formula Biden, ose doktrina Biden: presidenti amerikan Biden, pas inaugurimit në Shtëpinë e Bardhë, në telegramin që i dërgoi presidentit Vuçiç, ai jep formulën e qartë dhe të saktë diplomatike, duke i thënë: Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të qendërzohet në çështjen e njohjes së Kosovës. Për mua kjo është formula e saktë dhe e drejtë, e cila i jep fund spekulimeve dhe zvarritjeve të qëllimshme dhjetë vjeçare të dialogut në Bruksel midis dy shteteve. Qëndrimi i Kosovës sipas formulës Biden është qëndrimi më i drejtë dhe më i saktë, që jep rrugën e zgjidhjes jo vetëm çështjes së njohjes mes dy shteteve, por edhe jep rrugën e stabilizimit të situatës në Ballkanin perëndimor.

XS
SM
MD
LG