Lidhje

Zjarr në qendrën kulturore bullgare në Manastir


Qendra kulturore bullgare në qytetin e Manastirit, në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët të shtunën në mëngjes. Ende nuk dihet se kush e shkaktoi zjarrin.

Porta hyrëse e qendrës me mbishkrimin “Vanço Mihajlov” është djegur, por brenda objektit nuk janë shkaktuar dëme. Zjarrfikësit shuan zjarrin dhe parandaluan përhapjen në pjesët tjera të godinës. Organet përgjegjëse po hetojnë incidentin.

Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska e cila ishte në Shkup për një vizitë të planifikuar më parë, pas takimit me homologun e saj Bujar Osmani, menjëherë u nis për në Manastir për të parë gjendjen. Ajo u tha gazetarëve se nuk pret që ky incident t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe shprehu besim tek organet hetuese maqedonase.

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski tha se “akte të tilla paraqesin provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë”.

Më parë, edhe Ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar ashpër aktin e vënies së zjarrit, ndërsa kërkon që të zhvillohen hetime të shpejta dhe keqbërësit të nxirren para drejtësisë. Ministri Bujar Osmani e quan “një akt penal që është kryer jorastësisht sot, kur të dy shtetet do të zhvillojnë dialogun në funksion të kapërcimit të çështjeve të hapura në rrugën e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Incidenti ndodh në një kohë kur raportet midis dy vendeve fqinje janë në ngërç për shkak të pengesës që po paraqet Bullgaria për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Qendra kulturore bullgare që mban emrin e Vanço Mihajlovit, u hap para disa javësh në qytetin e Manastirit gjatë një ceremonie ku morën pjesë kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe zyrtarë të lartë qeveritarë nga Sofja. Emri i Vanço Mihajlovit, një personalitet i Luftës së Dytë Botërore, që maqedonasit e konsiderojnë si fashist dhe për të cilin thonë se kishte urdhëruar krime ndaj popullatës maqedonase, nxiti pakënaqësi të shumta në qarqe jo vetëm politike maqedonase, pasi u përurua në Manastir.


XS
SM
MD
LG