Lidhje

Kosovë, hapet “Java e Krenarisë”


Në Kosovë të hënën në mbrëmje u hap zyrtarisht "Java e krenarisë" e cila bën bashkë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI dhe institucionet vendase e ndërkombëtare, ndërsa më vonë gjatë javës pritet edhe një parakalim në Prishtinë.

Hapja e kësaj jave u bë në një ceremoni të veçantë nga zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Presidentja, Vjosa Osmani, tha se diskriminimi dhe stigmatizimi i pjesëtarëve të komunitetit LGBTI vazhdon të jetë i pranishëm në shoqërinë e Kosovës.

“Kemi ende shumë punë për të bërë përpara, sukseset nuk i arrijmë me kërcënime e me kushtëzime dhe me gjuhë të papranueshme ndaj cilës do palë. Prandaj së pari vjen edukimi dhe vetëdijesimi, prandaj së pari duhet aplikuar komunikimin dhe bashkëpunimin”, tha ajo duke nënvizuar se të drejtat e komunitetit LGBTI janë të drejta të njeriut.

“Sot më shumë se kurrë duhet të kuptojmë se kur institucionet e Kosovës flasin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, flasim për avancim më tutje të mundësive dhe mekanizmave për mbrojtjen e drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Ne synojmë të barazohemi me të gjithë të tjerët që e kuptojnë vërtetë rëndësinë e mbrojtjes së drejtave të njeriut, ne synojmë të jemi përkrahë atyre që e duan dhe përqafojnë dashurinë e barazinë”, tha presidentja Osmani.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qeveria ka për qëllim avancimin shoqëror por edhe promovimin e vlerave mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e civilizuara.

“Si qeveri do të angazhohemi që politikat dhe legjislacioni që hartohet në kuadër të ministrive përkatëse të jenë në frymën e kushtetutës dhe po ashtu do të angazhohemi që të fuqizojmë institucionet që ato të jenë profesionale dhe të mos të udhëhiqen nga mendësi stigmatizuese apo paragjykuese dhe t’i trajtojnë qytetarët barabartë, të ngrisin vetëdijen për grupet e margjinalizuara në shoqëri”, tha ajo.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se të drejtat e komunitetit LGBTI janë të drejta të njeriut dhe kjo nuk duhet të diskutohet.

“Nuk ka vlerë më të madhe të përbashkët demokratike, nuk ka asnjë premtim më të madh për të mbajtur për qytetarët tanë se sa që të garantojmë që të gjithë qytetarët, do të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe lirinë. Kosova është një demokraci shumë etnike dhe kjo është një gjë e mahnitshme, Kosova ka një rol për të luajtur dhe një shembull për të dhënë...”, tha ambasadori amerikan.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Szunyog, tha se përparimi nuk vjen lehtë dhe se rezultatet nuk janë gjithmonë të shpejta.

“Normalisht sfidat janë të shumta. Pranimi i personave nga komuniteti LGBTI është fatkeqësisht ende shumë ie ultë, gjuha e urrejtjes është e pranishme posaçërisht në mediat sociale. Të gjithë ne, institucionet e Kosovës, shoqëria civile dhe aktorët ndërkombëtarë, duhet të punojmë së bashku për të siguruar që pjesëtarët e komunitetit LGBTI të jenë anëtarë të barabartë të shoqërisë”, tha zoti Szunyog duke u bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të marrin pjesë në “Paradën e Krenarisë”.

“Parada e krenarisë në Kosovë tashmë është organizuar për pesë vite me radhë pa asnjë incident dhe jemi shumë të lumtur të shohim këtë trend. Unë së bashku me kolegët e mi do të marrim pjesë në paradën e krenarisë që pritet të mbahet më 9 qershor dhe shpresoj që të shoh edhe udhëheqës tjerë të Kosovës të na bashkohen dhe ta mbështesin paradën”, tha ai.

Në Kosovë organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, thonë se gjendja e tyre është përkeqësuar, ndërsa bëjnë thirrje për mbështetje më të madhe institucionale për këtë komunitet.

Një raport i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut për vitin 2021 i publikuar në muajin maj, nxori në pah se komuniteti LGBT është ndër më të cenuarit në Kosovë.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

XS
SM
MD
LG