Lidhje

Senati shqyrton kandidaturën e ish-drejtores së Zërit të Amerikës për të drejtuar USAGM


Një ndër komisionet kryesore të Senatit amerikan shqyrtoi të martën kandidaturën e përzgjedhur nga Presidenti Joe Biden për të drejtuar Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale. Amanda Bennett, ish-drejtore e Zërit të Amerikës, u pyet nga senatorët për sfidat me të cilat përballen transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, për shkak të ndryshimeve në teknologji, rreziqeve ndaj gazetarëve dhe sulmeve ndaj shtypit të lirë në mbarë botën.

Senati shqyrton kandidaturën e ish-drejtores së Zërit të Amerikës për të drejtuar USAGM
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Amanda Bennett, ish-drejtorja e Zërit e Amerikës, është emëruar nga Shtëpia e Bardhë për të drejtuar të gjashtë entitetet amerikane të transmetimeve ndërkombëtare, me një buxhet vjetor mbi 840 milionë dollarë.

"Ndodhemi në një moment kyç në histori. Gazetaria dhe diplomacia publike po sulmohen si kurrë më parë nga regjimet autoritare, duke përdorur mite dhe dezinformata, për të dëmtuar ata që kërkojnë raportim të besueshëm, të bazuar në fakte dhe të paanshëm për botën që i rrethon. Gazetaria ka qenë jeta ime", tha zonja Bennett.

Një gazetare e vlerësuar me çmimin Pulitzer, redaktore dhe menaxhere prej dekadash, krahas periudhës kur drejtoi Zërin e Amerikës, zonja Bennett do të bëhet drejtorja e dytë ekzekutive e konfirmuar nga Senati, e Agjensisë për Mediat Globale (USAGM). Drejtori i parë ekzekutiv, producenti konservator i filmave Michael Pack dha dorëheqjen me kërkesë të administratës së Presidentit Biden në vitin 2021, pas një mandati të debatueshëm, të shoqëruar me shqetësime për pavarësinë e agjensisë që ai drejtonte.

"Si do ta mbroni reputacionin e USAGM-it dhe t'u riktheni njerëzve në të dyja kahet e politikës dhe në mbarë planetin, ndjesinë se po veproni të pavarur, duke ofruar informacion të drejtë dhe të saktë, dhe duke shpërndarë faktet në mbarë planetin?", pyeti Senatori demokrat Brian Schatz.

"Në gati 50 vitet e karrierës sime në gazetari, jam përpjekur t'u përmbahem parimeve të paanshmërisë, pavarësisë, raportimit dhe gazetarisë objektive dhe synoj të vazhdoj t'i përmbush këto parime. Këto janë edhe parimet që USAGM aspiron në zemrën dhe shpirtin e saj dhe nuk ka vend për anshmëri brenda Zërit të Amerikës", tha zonja Bennett.

Por, kritikët kanë aluduar se gjatë drejtimit të zonjës Bennett, morali ra dhe raportimi i Zërit të Amerikës për menaxhimin e koronavirusit nga Kina ishte "i butë". Ajo mbrojti historikun e raportimit rreth regjimeve totalitare dhe dëgjoi mesazhet e senatorëve republikanë, që inkurajojnë USAGM-in të luftojë propagandën në mbarë botën.

"Në një kohë kur liria e shtypit dhe demokracia kanë filluar të bien, transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Ndërsa qeveritë autoritare bllokojnë lajmet dhe çensurojnë popullin e tyre, kjo agjensi mund të japë informacion të besueshëm, në kohën e duhur dhe të saktë. Ekziston nevoja për t'i ofruar komunitetit ndërkombëtar balancë dhe objektivitet - kjo është veçanërisht e vërtetë në pjesët e botës ku dezinformimi, propaganda, dhe ideologjia terroriste dominojnë lajmet", tha Senatori republikan John Barraso.

Emërimi i zonjës Bennett pritet të miratohet në komisionin me shumicë demokrate gjatë javëve të ardhshme, përpara se të dërgohet për votim në Senat.

XS
SM
MD
LG