Në Shqipëri një pjesë e madhe e të rinjve, që mbarojnë studimet universitare, hasin vështirësi për t’u përshtatur në tregun e punës, gjë që shtyn shumë prej tyre të emigrojnë jashtë vendit në kërkim të një pune apo kualifikimi të mëtejshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ekspertë të tregut të punës thonë se universitetet mund të bëjnë më shumë për të përshtatur programet me nevojat që paraqet tregu i sotëm i punës për të rinjtë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vetëm gjatë vitit të kaluar nga Shqipëria u larguan drejt emigracionit 42.048 persona, shumica të rinj.
Eminia dhe Suela janë dy studente të fakultetit ekonomik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ato thonë se zgjodhën këtë degë me shpresën se, në përfundim të studimeve, do të gjejnë një vend pune. Por, me kalimin e viteve të para të studimit, gjithnjë e më shumë, ato ndjehen të pasigurta për mundësitë që u ofron tregu i punës në Shqipëri. Kështu ndodh edhe me studenten Emine Torishta.
“Më ka shku në mendje me u largu për me punu dhe me jetu jashtë. Mirëpo, nëse e gjej një punë të mirë, të sigurtë, në të cilën e gjej veten, e vazhdoj edhe këtu. Por, është idea që shumë të rinj dëshirojnë me u largu sepse nuk e gjejnë veten tek puna dhe bizneset këtu në Shqipëri”.
Studentja Suela Qosaj është nga Vermoshi i Malësisë së Madhe, një nga zonat e njohura në Shqipëri për turizmin malor, por që pas vitit 1990, kur u hapën kufijtë, pjesa më e madhe e banorëve u larguan drejt emigracionit, kryesisht në Amerikë dhe Angli. Suela thotë se edhe ajo shpreson të emigrojë për një të ardhme më të mirë.
“Synimi im është të mbaroj bachelorin. Mandej nuk e di a do të vazhdoj këtu apo jashtë vendit. Por, synimi im është për me kenë jashtë, me provu diçka të re, një eksperiencë tjetër, ndryshe nga ajo që afrohet në Shqipëri. Sepse, dihet që jashtë është diçka më e mirë, diçka që ka me të vlejtë edhe nëqoftëse kthehesh në Shqipëri”.
Vështirësitë për tu përshtatur me tregun e punës, pagat e ulëta dhe pasiguria për vendin e punës, vazhdojnë të nxisin shumë të rinj drejt emigracionit, kryesisht në vendet e Europës Perendimore. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, nga Shqipëria emigruan 42 mijë e 48 persona, kryesisht të rinj, tregues ky i përafërt me atë të vitit 2019, kur emigrimi i shqiptarëve shënoi edhe numrin më të lartë të 10 viteve të fundit.
Dekania e fakultetit ekonomik, Blerta Dragusha, thotë se vitet e fundit janë shtuar përpjekjet për të ofruar studentët me tregun e punës dhe për t’u dhënë atyre një mundësi punësimi, përmes pjesëmarrjes në programet europiane për shkëmbimet universitare, përfshirë edhe panairet e punës. Megjithatë, ajo thotë se një pjesë e studentëve vazhdojnë të largohen nga Shqipëria drejt emigracionit.
“Patjetër që ka edhe studenta që ikin jashtë, largohen dhe kanë mundësi punësimi, mundësi shkollimi dhe që vazhdojnë karierën e tyre. Ne marrim shpesh njoftime prej tyre për mbrojtjen e doktoraturave në universitete të ndryshme europiane apo amerikane, ashtu sikurse janë shumë të suksesshëm në karierën e tyre si menaxherë, si ekonomistë, si financierë, si drejtues të turizmit në shtete të ndryshme, kudo në botë”.
Por drejtuesja e organizatës ABSL, bashkorganizatore e panairit të punës, Ersenilda Elezi, thotë se pas periudhës së pandemisë, përshtatja me tregun e punës është një problem global, për shkak të ndryshimeve dhe ritmeve të shpejta që po pëson ekonomia. Dhe kjo po reflektohet edhe tek të rinjtë që mbarojnë studimet në universitetet e Shqipërisë.
“Realisht, është një paradoks që bizneset e kanë të njëjtin shqetësim, pasi e kanë të vështirë të gjejnë të rinj të kualifikuar. Ajo çfarë kërkohet nga organizata është që të ketë pak durim dhe investim për përgatitjen e këtyre të rinjve gjatë kohës që janë studentë, pra të ketë më shumë intershipe, qoftë edhe me pagesë, për studentët, që t’i stimulojnë dhe të kenë rritje profesionale gjatë kohës që janë duke studju. Dhe, bizneset, në momentin kur marrin të rinj, të jenë të kënaqur nga rezultatet e punës së tyre”.
Pas periudhës së pandemisë, Shqipëria po përballet me vështirësi në përmbushjen e nevojave të tregut të saj të punës, si me punëtorë të kualifikuar, ashtu edhe me punonjës që kanë mbaruar studimet universitare.