Lidhje

Parada e gjashtë e krenarisë në Kosovë


Në Kosovë zhvillohet parada e gjashtë e krenarisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Me moton "edhe n’shtet edhe n’familje", në Prishtinë u mbajt të enjten parada e gjashtë e krenarisë në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBT. Përfaqësues të këtij komunitetit thanë se familja dhe shteti janë institucionet që më shumti po diskriminojnë komunitetin LGBT. Korrespondentja jonë, Edlira Bllaca njofton nga Prishtina.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha të enjten në Prishtinë se të drejtat e komunitetit LGBT janë të drejta të njeriut dhe si të tilla duhet të respektohen. Këto komente, ambasadori amerikan i bëri pak para nisjes së paradës së krenarisë, e cila u mbajt për herë të gjashtë në Prishtinë.

“Jemi këtu për të treguar mbështetjen tonë për komunitetin LGBTI+, ne besojmë fuqishëm që të drejtat e këtij komuniteti janë të drejta të njeriut. Por shpresoj që unë nuk do të bëhem rrëfimi i sotshëm, por do t’i shohim kolegët e mi, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarët e Kosovës që janë sot në këtë parakalim për të siguruar se të gjithë njerëzit në Kosovë, pa marrë parasysh karakteristikat e ndryshme që kanë duke përfshirë këtu orientimin seksual, të gëzojnë të drejta të barabarta dhe respekt në shoqëri”, tha ai.

Disa qindra veta morrën pjesë në parakalimin në qendër të kryeqyretit që synon mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBT, duke e përmbyllur atë me një koncert.

Lendi Mustafa nga organizata për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, CEL, tha se motoja e paradës së këtij viti është “Edhe n’shtet edhe n’familje”.

“Mesazhi i drejtohet dy institucioneve bazë të një personi LGBT, janë shteti edhe familja, këto janë dy institucione që më shumti po e diskriminojnë komunitetin tonë”, tha ai.

Shemsije Musa Cerkini, nënë e një djali që i takon këtij komuniteti tha se familja është institucioni kryesor që duhet t’i mbështesë personat e komunitetit LGBT.

“Sa herë kaloj kohë me personat LGBT, më mbushin me jetë. Lumturia e tyre, solidariteti që e kanë me njëri tjetrin është thjeshtë mrekulli. Gjithmonë ndihem rehat me ta por zemra më dhemb kur më tregojnë për rastet e dhunës, kur i largojnë prej shtëpive, kur nuk u shërbejnë fare ose siç duhet. Asnjë njeri nuk e meriton të trajtohet ashtu. Fëmijët meritojnë të duhen, të pranohen e mbështeten”, tha ajo.

Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, thonë se gjendja e tyre është përkeqësuar, dhe se po përballen me raste të dhunës në familje dhe të ngacmimeve të dhunshme.

Një raport i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut për vitin 2021 i publikuar në muajin maj, nxori në pah se komuniteti LGBT është ndër më të cenuarit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG