Një studim i ri nga Universiteti australian Notre Dame ka arritur në përfundimin se politikat e shtetit të Australisë Perëndimore për reduktimin e mbetjeve plastike po funksionojnë. Por shkencëtarët paralajmërojnë se kjo zonë po përballet me një sfidë tjetër, atë të mbeturinave nga maskat dhe testet e shpejta të antigjenit që po dëmtojnë mjedisin.
Prej katër vjetësh Linda Davies mbledh mbeturinat në plazhin lokal në Cockburn Sound, në jug të Perthit.
Së bashku me banorët lokalë, Dr. Davies, profesore në lëndën e menaxhimit të mjedisit në Universitetin Notre Dame në Fremantle, ka mbledhur mbi 12,000 artikuj të hedhur në bregdetin e kësaj zone, shumica prej tyre plastike.
"Mendova se nëse i mbledh dhe i analizoj ato nga ana shkencore, do të kemi prova për të kuptuar se nga vijnë mbeturinat dhe nëse ka ndonjë ndryshim në llojin e mbeturinave që gjejmë", thotë Dr. Davies.
Në vitin 2018, qeveria e Australisë Perëndimore ndaloi përdorimin e qeseve plastike.
Pipat plastike, pirunët e thikat prej plastike dhe tullumbacet janë në mesin e një sërë artikujsh të shtuar në listë.
Që nga fillimi i studimit, zonja Davies ka parë një ulje prej 50 për qind të këtyre artikujve.
Ajo shpreson të zgjerojë studimin duke instaluar kazanë për mbeturinat detare në të gjithë shtetin në mënyrë që ato të përdoren nga pastruesit e plazheve.
Shkencëtarët më pas mund të analizojnë dhe monitorojnë prirjet në llojin e mbeturinave në Australinë Perëndimore.
Por, ndonëse niveli i mbetjeve plastike po shënon një rënie, lloje të tjera mbeturinash kanë filluar të shfaqen.
"Që nga hyrja në fuqi e rregullit që e bëri të detyrueshëm vënien e maskës, kam hasur në një numër shumë më të madh të tyre. Së fundmi kam parë edhe teste të shpejta të antigjenit. Megjithëse ende nuk i kam parë ato në plazhe, mendoj se me kalimin e kohës valët e detit do t’i sjellin ato aty”, thotë studiuesja Linda Davies.
Ministri i Mjedisit i Australisë Perëndimore, Reece Whitby thotë se nuk ka përgjigje të lehtë për riciklimin e testeve të shpejta të antigjenit, sepse ato janë të klasifikuara si artikuj që shkaktojnë rreziqe biologjike.
"Përparësia kryesore duhet të jetë shëndeti publik, kështu që duhet t’i japim përparësi asgjësimit të sigurt të këtyre materialeve", thotë ai.
Zoti Whitby thotë se ai po vazhdon diskutimet me Departamentin e Shëndetësisë për të gjetur një mënyrë të mirë të riciklimit të tyre.