Zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi të shtunën Kievin, ku u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Zoti Zelenskyy bëri thirrje për sanksione të reja të cilat të kenë si objektiv të tyre një numër edhe më të madh zyrtarësh rusë, përfshirë gjykatës, si dhe bllokimin e veprimtarisë së të gjitha bankave ruse, mes tyre bankës së gjigantit të kompanisë ruse të gazit Gazprom, si dhe të gjitha kompanitë ruse që ndihmojnë Moskën "në çfarëdo lloj mënyre”, sikurse u shpreh ai.
Komentet zoti Zelenskyy i bëri gjatë një konference për shtyp me zonjën von der Leyen në presidencë e cilat ndodhen nën masa të forta sigurie.
Kjo është vizita e dytë e zonjës Von der Leyen në Ukrainë që nga fillimi i agresionit të Rusisë.
Zoti Zelenskyy dhe zonja von der Leyen diskutuan rreth aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zoti Zelenskyy tha se Ukraina "do të bëjë gjithçka" për t'u integruar në BE.
Kievi dhe disa vende të BE-së duan që Ukraina të pranohet shpejt në BE.
Zonja Von der Leyen e cilësoi procesin e anëtarësimit si "një rrugë të bazuar në merita" dhe i bëri thirrje Ukrainës që të forcojë sundimin e ligjit, të luftojë korrupsionin dhe të modernizojë institucionet e saj.
Të premten, presidenti Joe Biden këmbënguli se zbulimi amerikan u përpoq ta paralajmëronte Ukrainën për rrezikun e afërt të një sulmi rus, por zoti Zelenskyy sikurse ai tha, "nuk ia vuri veshin”.
Zoti Biden i bëri komentet gjatë takimi për mbledhjeje fondesh në Los Anxhelos, ku foli për punën e bërë nga administrata e tij për forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës ndërsa lufta vazhdon.
Megjithëse zoti Zelenskyy ka frymëzuar shumë njerëz me rolin e tij udhëheqës gjatë luftës, përgatitja e tij për sulmin, apo mungesa e një gjëje të tillë, ka mbetur një çështje e diskutueshme.
Në javët para fillimit të luftës, më 24 shkurt, zoti Zelenskyy kritikoi publikisht paralajmërimet amerikane për një sulm të mundshëm rus, duke thënë se ato po dëmtonin ekonominë e brishtë të Ukrainës.
Tashmë zyrtarët ukrainas janë gjithnjë e më të shqetësuar nga ajo që e quajnë lodhje nga lufta e Perëndimit.
Ata druhen se Rusia mund të përfitojë nga kjo për të ushtruar trysni ndaj Ukrainës për kompromis, diçka së cilës presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka rezistuar, duke thënë se Kievi do t’u qëndrojë kushteve të veta për paqen.