Lidhje

Protestuesit kërkojnë përfaqësim më të gjerë në takimin e vendeve të hemisferës perëndimore


Në një kohë kur udhëheqës nga shumë vende të hemisferës perëndimore po shqyrtonin çështje të ndryshme si ndryshimet klimatike dhe migrimi, gjatë takimit të nivelit të lartë në Los Anxhelos të Kalifornisë, jashtë dyerve të tij protestues të pakënaqur me programin zyrtar të takimit kërkuan përfshirje të kombeve të tjera, pakicave dhe migrantëve.

Protestat gjatë takimit të vendeve të hemisferës perëndimore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00


Ndërsa Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden mirëpritën krerët e shteteve në takimin e nivelit të lartë të vendeve të hemisferës perëndimore, ku migrimi ka qënë ndër temat kryesore të diskutimeve, aktivistë të të drejtave të migrantëve ngritën zërin për zgjidhjen e statusit të migrantëve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara.

Një mbështetëse e të drejtave të abortit lidhi veten me zinxhirë në gardhin rrethues ku po mbahet takimi, ndërsa Gjykata e Lartë trajton çështjen e debatueshme.

Protestues të tjerë shprehën zemërimin ndaj Shteteve të Bashkuara për përjashtimin nga takimi të Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës. Uashingtoni ka thënë se vetëm vendet demokratike janë të mirëpritura, çka nxiti disa vende të mos dërgonin përfaqësues të nivelit të lartë në takim. Përjashtimi i disa vendeve është hipokrizi, thonë kritikët.

Zëri i Amerikës bisedoi me bashkëthemeluesen e grupit Codepink, Medea Benjamin.

“Ka vende të ftuara si Brazili dhe Presidenti Bolsonaro u takua personalisht me Presidentin Biden. Bolsonaro ka politika tejet represive, që po djegin Amazonën, që nuk përfaqëson nevojat e popullit të tij apo planetit”.


Ajo tha gjithashtu se Presidenti Biden po shqyrton mundësinë e një vizite në Arabinë Saudite, qeveria e së cilës akuzohet gjerësisht se ka luajtur rol në vrasjen e gazetarit Jamal Khashiggi në vitin 2018.

Nga ana tjetër, analistët thonë se qëllimi i vizitës, e cila ende nuk është konfirmuar, ka të ngjarë të jetë stabilizimi i çmimeve të karburantit.


Një tubim më i vogël aty pranë, takimi i popullit për demokraci, mblodhi çdo ditë rreth 1,000 pjesmarrës nga 15 shtete, gjatë periudhës së takimit të nivelit të lartë.


Zëri i Amerikës bisedoi me Manolo De Los Santos, një nga organizatorët e tubimit.


“Ne mendojmë se takimi i nivelit të lartë të vendeve të hemisferës perëndimore ka përjashtuar miliona njerëz nga ky rajon, njerëz me ngjyrë, indigjenë, grupe të ndryshme. Na ka përjashtuar nga debati.”


Administrata e Presidentit Biden thotë se zhvillimi ekonomik, mjedisi, migrimi, mirëqenia e grave dhe të drejtat demokratike janë pjesë thelbësore të takimit. Takimi i nivelit të lartë ka organizuar gjithashtu forume rinore dhe civile.

Presidenti i Meksikës nuk mori pjesë në takim por dërgoi ministrin e jashtëm. Një senatore meksikane, Citlalli Hernandez Mora, sekretare e përgjithshme e partisë në pushtet, mori pjesë në takimin popullor të organizuar nga protestuesit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, thotë ajo, shpreson për marrëdhëne të forta mes dy vendeve.

“Meksika dëshiron marrëdhënie të reja me Shtetet e Bashkuara. Dhe propozon marrëdhënie të reja midis të gjitha vendeve të hemisferës perëdnimore, ku nuk ka ndërhyrje të vazhdueshme apo gjykim të përgjithshëm ndaj vullnetit të popujve”.

Takimi i nivelit të lartë të vendeve të hemisferës perëndimore i dha fund punimeve mbrëmjen e së premtes me një deklaratë për arritjet, ndërsa protestuesit i dhanë fund takimit të tyre me një tjetër protestë.

XS
SM
MD
LG