Lidhje

Kancelari gjerman, thirrje BE-së të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën


NORTH MACEDONIA-GERMANY/
NORTH MACEDONIA-GERMANY/

Kancelari gjerman Olaf Sholz gjatë turneut të tij Ballkanik, u ndal këtë të shtunë në Shkup ku theksoi se Ballkani Perëndimor për Gjermaninë paraqet një çështje strategjike dhe se ai do të angazhohet për integrimin e tij në Bashkimin Evropian.

Zoti Sholz theksoi edhe nevojën për ringjalljen e Procesit të Berlinit. Ai tha se për sa i përket vendit të tij, Maqedonia e Veriut duhet menjëherë t’i fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE. Ai shprehu mirënjohje për bashkimin e Maqedonisë së Veriut me masat e sanksioneve kundër Rusisë.

Sholz vizitë në Shkup: Do të angazhohem për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Kancelari gjerman Olaf Sholz inkurajoi autoritetet në Shkup që të vazhdojnë rrugën e reformave. Pas Shkupit ai shkoi në Sofje në përpjekje për të bindur Bullgarinë të heqë veton për bisedimet e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian; por as Berlini nuk është në gjendje të garantojë se Sofja do ta zhbllokojë rrugën e integrimeve evropiane për fqinjin më të vogël ballkanik.

Kancelari theksoi nevojën e bashkëpunimit rajonal në fushën e ekonomisë dhe të fqinjësisë së mirë.

“Prej para disa vjetësh filluam një proces për të mbështetur këtë rrugë, të njohur si Procesi i Berlinit që dëshmoi qysh në vitin 2014 potencialin e bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dua sërish ta ringjall këtë proces të Berlinit, i cili garanton katër liritë e lëvizjes dhe qarkullimit të njerëzve, kapitalit e mallrave”, tha kancelari gjerman.

Lidhur me procesin e bisedimeve me BE-në, ai tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë merituar që bisedimet konkrete të fillojnë dhe të mos zvarriten.

"Ne do të angazhohemi për atë që kjo të realizohet", tha ai.

“BE duhet t’i realizojë premtimet e dhëna”, tha zoti Sholz duke përkujtuar premtimet ndaj vendeve të Ballkanit para njëzet vjetësh në samitin e Selanikut.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski thotë se vendi i tij ka harmonizuar në masë të madhe legjislacionin me atë të Bashkimit Evropian dhe se meriton avancimin drejt bllokut.

Ai ndërkohë theksoi se vendi i tij nuk mundet gjithmonë të bëhet peng i samiteve të BE-së se a do të ketë datë ose jo për çeljen e bisedimeve.

“Nëse bëhet fjalë për sistemin e bazuar mbi meritat për afrimin me BE, Maqedonia e Veriut qind për qind e para meriton konferencën ndërqeveritare me BE-në”, tha ai.

Zoti Kovaçevski lidhur me ngërçin me Bullgarinë tha se të gjitha çështjet e hapura janë temë e bisedimeve midis ministrive të jashtme dhe kur do të arrihet tek një dokument i pranueshëm për të dyja palët, atëherë ato dokumente do të ndahen me institucionet e të dy vendeve, por se për momentin nuk ekziston një dokument i tillë.

Kryeministri Kovaçevski tha se mbështetja që Maqedonia e Veriut po merr nga Gjermania është e fuqishme dhe e qartë, një inkurajim i madh për aspiratat rreth ndërtimit të një shoqërie përparimtare të ngritur mbi vlerat evropiane për barazi.

Në planin ekonomik, Maqedonia e Veriut ka përfituar shumë nga Gjermania, ndërsa rreth 45% e eksportit të përgjithshëm të mallrave shkon në Gjermani. 200 kompani gjermane janë partnere të kompanive maqedonase që kanë hapur 20 mijë vende pune në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit 2005, por së pari përplasjet e brendshme politike dhe moszbatimi i reformave dhe më pas mosmarrëveshjet me Greqinë e Bullgarinë e zvarritën rrugën e saj të integrimit për kaq shumë vite.

XS
SM
MD
LG