Ndërsa Shtetet e Bashkuara shënuan 19 qershorin e dytë të njohur si festë federale, një ditë që përkujton fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara, afrikano-amerikanët që jetojnë jashtë vendit e kanë përqafuar atë si një ditë reflektimi e mundësie për të edukuar njerëzit në vendet e tyre pritëse.
Presidenti Joe Biden shpalli vitin e kaluar Juneteenth një festë federale, një ditë që përkujton momentin kur në vitin 1865, ushtarët e Unionit informuan një grup skllevërish afrikano-amerikanë në Galveston të Teksasit, se tashmë ishin të lirë, afro 2 vite e gjysmë pas nënshkrimit nga Presidenti Abraham Lincoln të Deklaratës për Lirimin e skllevërve.
Në Liberi, Saqar Ahhah Ahershu, 45 vjeç, nga qyteti i Xhërsit të shtetit amerikan Nju Xhërsi po organizon atë që e ka quajtur "Një udhëtim drejt shtëpisë".
"Sepse kjo është pjesë e asaj historie të fshehur, afrikano-amerikane, që ende nuk është zbërthyer plotësisht" thotë ai.
Liberia, republika më e vjetër e pavarur e Afrikës, u themelua nga skllevër që u liruan në Shtetet e Bashkuara në 1822 dhe u riatdhesuan në Afrikën Perëndimore, plot 200 vjet më parë.
Ndërsa nuk ka statistika zyrtare që tregojnë nurmin e saktë të afrikano-amerikanëve që kanë lëvizur jashtë vendit (SHBA-ve), shumë po e konsiderojnë këtë si një mundësi dhe po flasin më hapur, pas vrasjes së George Floyd, një afrikano-amerikani që u vra në duar e policisë. Pas ngjarjes shumë afrikano-amerikanë po i shohin SHBA-të nga jashtë brenda, duke vendosur të mos kthehen. Tashina Ferguson, një eksperte debatesh 26-vjeçare, jetonte në Nju Jork në kohën e vdekjes së Eric Garner, një tjetër afrikano-amerikani.
Prej 2019 ajo ndodhet në Korenë e Jugut dhe Juneteenth-in e festoi duke mbledhur fonde për institutin Marsha P. Johnson.
Ajo shfaq ndjenja të përziera mbi festën më të re federale në SHBA.
"Juneteenth është veshur me komercialitet”, thotë ajo.
Tashina thotë se vetëm një ndryshim i fuqishëm do ta bënte atë të konsideronte mundësinë për t’u kthyer në SHBA.
Chrishan Wright në Nju Xhersi flet rregullisht me afrikano-amerikanë që planifikojnë ose që kanë lëvizur tashmë jashtë vendit.
Wright, 47 vjeç prezanton një podcast "Blaxit Global" dhe tha se shumë nga të ftuarit e saj janë të lodhur me SHBA-të.
“Ata kanë bërë të gjitha gjërat për të arritur atë që supozohet të jetë ëndrra amerikane e megjithatë ata nuk ndihen sikur kanë krijuar baza të forta për sa i përket daljes në pension të qetë apo që t’ia dalin të paguajnë borxhet si studentëve apo thjesht faturat”, thotë ajo.
Vetë zonja Wright planifikon të shkojë në Portugali vitin tjetër.