Ukraina njofton për bombardime të ashpra sot në Severodonetsk, ndërsa forcat ruse po marrin kontrollin e plotë të qytetit.
Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai tha se luftime të ashpra po zhvillohen në fabrikën kimike Azot, ku janë strehuar ushtarë ukrainas dhe rreth 500 civilë.
Sipas tij, forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht qytetin tjetër Lysychansk, pranë Severodonetskut.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e pranoi se është e vështirë të mbrohen rajonet lindore të vendit, por shtoi se forcat ruse vazhdojnë të ndeshin në rezistencë.
Ndërkohë në fjalimin e tij të djeshëm ai tha se po zhvillohen negociata komplekse, në disa nivele, në përpjekje për t’i dhënëë fund bllokadës së porteve ukrainase nga Rusia. “Ende nuk ka përparim” tha Presidenti Zelensky, duke shtuar se “kriza globale e ushqimit, do të vazhdojë përsa kohë, që vazhdon kjo luftë kolonialiste”.
Rusia e mohon se po i bllokon qëllimisht eksportet e grurit nga Ukraina dhe fajëson sanksionet e Perëndimit për ngritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell e quajti “krim lufte” veprimin e Rusisë për të bllokuar eksportin e grurit. “Është e paimagjinueshme, që miliona tonë grurë mbeten të bllokuara në Ukrainë, kur pjesa tjetër e botës vuan nga uria”, tha ai.