Lidhje

Mbështetja për fermerët e bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe


Fermerët e bimëve mjekësore

Malësia e Madhe është zona kryesore e kultivimit të bimëve aromatiko-mjekësore në Shqipëri, të cilat zënë rreth 20 përqind të eksporteve bujqësore të vendit. Këtë vit, fermerët po përballen me vështirësi për shkak të mugesës se fuqisë punëtore, por edhe shtrenjtimit të shpejtë të imputeve bujqësore. Organizata CNVP po mbështet fermerët për të rritur prodhimin përmes kultivimit të fidaneve vendase, të kërkuara në tregun ndërkombëtar.

Mbështetja për fermerët e bimëve mjekësore në Malësi të Madhe
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

“Salvia Nord” është njëra ndër 2500 fermat bujqësore në Malësi të Madhe që merret me kultivimin, grumbullimin dhe eksportin e bimëve aromatiko-mjekësore. Ferma gjendet në fshatin Koplik i Sipërm dhe është një biznes familjar, i përqendruar kryesisht në prodhimin dhe tregtimin e fidanëve autokton të sherbelës. Ferma tejkaloi pa humbje periudhën e pandemisë, por, sipas bashkëpronares së fermës, Servete Rama, së fundmi situata është vështirësuar për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe rritjes së çmimeve në tregun vendas dhe atë global.

“Ferma jonë ka 11 vite që është krijuar. Fillimisht kemi prodhuar fidanët e sherbelës. Bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët kemi ardhur duke avancuar. Kemi patur problemet tona, por mirë kemi ecur si firmë. Pak e vështirë është bërë puna sepse, si pasojë e luftës, janë rritur çmimet dhe gjërat dhe duhet rritur edhe paga e punëtorit. Kostoja është më e madhe por, gjithsesi, ne jemi të kënaqur. Jemi mbështetur si fermë edhe nga CNVP-ja me projektet e saj”.

Ferma “Salvia Nord” është çertifikuar për prodhimin e fidanëve autoktonë si dhe të fidanëve të sherbelës bio, gjë që garanton cilësinë dhe eksportin e bimëve aromatiko-mjekësore.

Me nismën e organizatës CNVP dhe mbështetjen nga qeveria e Suedisë një grup prodhuesish dhe eksportues të bimëve aromatiko-mjekësore, nga disa rrethe të Shqipërisë, vizituan fermën “Salvia Nord” në përpjekje për të zgjeruar sipërfaqen e kultivimit si dhe punësimin në sektorin e bimëve aromatiko-mjekësore.

“Ne kemi ftuar edhe përfaqësues nga bashki të tjera të vendit për të marrë përvojë dhe për të vazhduar këtë aktivitet në zona të tjera. Normalisht, Shqipëria ka shumë potenciale, toka të braktisura, që mund të kultivohen dhe të zhvillohen nëpërmjet bimëve mjekësore, duke sjellur edhe një përfitim mjedisor që ndikon në rehabilitimin e bimësisë natyrore, e cila është shumë e dëmtuar për shkak të vjeljes pa kriter ndër vite e vite me radhë”.

Sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Shqipëria eksporton në vit rreth 15 mijë tonë bimë aromatiko-mjekësore me vlerë rreth 46 milionë euro, duke zënë rreth 20 përqind të eksporteve bujqësore. Zona e Malësisë së Madhe është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i bimëve aromatiko-mjekësore, kryesisht i sherbelës, pjesa më e madhe e të cilës eksportohet në SHBA.

“Në Malësinë e Madhe kultivohen rreth 5 mijë hektarë. Shumica prej tyre janë sherbelë. Sherbela këtu po dominon me variantin e ekotipit vendor, tashmë edhe varietete të krijuara nga këto ekotipe vendore. Po punohet edhe për makthin, siç e quajnë në Malësi të Madhe, për të krijuar një variant të ri, një varietet, i cili është shumë më rezistent dhe që ka treguesit e principeve aktiv të kërkuar nga tregu ndërkombëtar".

Malësia e Madhe është një nga 8 zonat e kultivimit të bimëve aromatiko-mjekësore në Shqipëri, sektor ky, ku llogaritet të punojnë rreth 85 mijë persona. Por, këtë vit, ky sektor po përballet me fenomenin e shpopullimit të zonave malore, emigrimin e fermerëve dhe rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, ç’ka pritet të ndikojë edhe në pakësimin e të ardhurave nga ky sektor.

XS
SM
MD
LG