Lidhje

Kosovë, parlamenti nuk miraton projektligjin për tërheqjen e 30 % të kursimeve


Trusi Kosovo
Trusi Kosovo

Parlamenti i Kosovës nuk e miratoi të enjten projektligjin e propozuar nga opozita, nëpërmjet të cilit do t’i hapej rruga tërheqjes së 30 për qind të kursimeve nga skemat e pensioneve.

Kosovë, parlamenti nuk miraton projektligjin për tërheqjen e 30 % të kursimeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

57 deputetë votuan kundër këtij projektligji, 44 pro dhe një votë ishte e paanshme.

Votimit i parapriu një debat i ashpër ndërmjet opozitës që e sheh projektligjin si mbështetje financiare për shkak të rritjes së çmimeve, dhe qeverisë që e kundërshton atë me arsyetimin se do të rrënonte sistemin e pensioneve në Kosovë.

Fondi i Kursimeve të Pensioneve të Kosovës apo i njohur shkurt si Trusti është institucion publik i pavarur, i themeluar nga parlamenti i Kosovës, në vitin 2001, i cili menaxhon kontributet e detyrueshme dhe vullnetare të pensioneve të të punësuarve në Kosovë. Me ligj, çdo qytetar mund t’i tërheq paratë pas pensionimit në moshën 65 vjeçare.

Në projektligjin e dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës, kërkohet plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, asisoj që të lejojë tërheqjen e kursimeve të pensioneve me kategori të ndryshme, varësisht nga shuma e kursimeve. Sipas propozimit, ata që kanë kursime më të mëdha do të lejohej të tërheqin 10 për qind të parave të tyre, ndërsa ata me kursime më të ulëta të tërheqin 30 për qind të tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është kundër një mundësie të tillë, meqë sipas tij e rrënon sistemin e pensioneve në vend.

“Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme, për dallim nga prindërit e gjyshërit tanë. Nëse edhe këtë e rrënojmë sot, për një problem afatshkurtër, në situatën ku ngjallet panik i paqenë, atëherë edhe brezi ynë po e humbet këtë mundësi që e kemi ndërtuar e po e ndërtojmë të gjithë së bashku”, tha ai.

Por përfaqësues të partive opozitare, e arsyetuan projektligjin me krizën ekonomike në vend për të cilën sipas tyre deri tash kanë munguar veprimet e qeverisë.

“Qytetarët e vendit presin t’u tregosh përse nuk po i lejon t’i tërheqin mjetet. Ti sot atyre po u thua se po brengosesh për situatën pas 30 vjetëve kur dalin në pension, por t’i duhet të brengosesh për ta sot, në rini ose në moshë të mesme, sepse 37 vjet është mosha mesatare e tatimpaguesit mesatar në Kosovë”, tha Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Është e vetmja mundësi tanimë, fatkeqësisht, nga pasiviteti juaj, nga dembelia juaj, nga refuzimi juaj që të mbështesni çfarëdo mase që ju kemi propozuar në përkrahje të qytetarëve, ka mbetur vetëm ky opsion që qytetarëve të Kosovës t’u lejohet të tërheqin një pjesë të mjeteve të tyre në trust. Prandaj është mundësia juaj e fundit që t’u dilni në krah qytetarëve të Kosovës”, tha Besian Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ju po flisni për shkatërrimin, rrënimin e fondit të pensioneve. A mund të ju pyes përse nuk u rrënua fondi kur i tërhoqëm dhjetë për qind me vendim të qeverisë, a u rrënua ai fond apo është ende këtu? E dyta, në qoftë se ju mendoni se situata është e tillë që vetëm të numëroni në vend dhe të mos merrni asnjë vendim, jeni duke bërë gabim shumë të madh”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ideja për tërheqjen e parave nga skema e pensioneve është përcjellur me debate të shumta që nga hedhja e saj në muajin mars të këtij viti. Në fund të muajit të kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar, kundërshtoi një mundësi të tillë duke vlerësuar se do të ishte “goditje e rëndë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve”. Ndërkaq Oda Ekonomike Amerikane, tha se “masa e tillë është në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi i kursimeve të pensioneve ekziston dhe do të kishte përfitime afatshkurta socio-ekonomike”.

XS
SM
MD
LG