Lidhje

Drejtësia e reformuar, priten më shumë goditje kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri


Në Tiranë, diplomatët amerikanë dhe ata europianë u bënë thirrje sot përfaqësuesve të sistemit të reformuar të drejtësisë, që të përdorin strukturat e reja me sa më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar.

Drejtësia e reformuar, priten më shumë goditje kundër krimit e korrupsionit në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Ata pohuan gjatë një konference ndërkombëtare se ndërhyrjet ndaj sistemit të drejtësisë po vazhdojnë, por ndërkohë po arrestohen kriminelë dhe politikanë të korruptuar.

Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Demian Smith, tha se sistemi gjyqësor shqiptar ka nisur t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm personave të lidhur me politikën dhe me krimin.

Ai kujtoi që 6 vjet më parë, kur nisi reforma, 25 për qind e gjyqtarëve pranonin se bënin korrupsion në gjykatë dhe 57 për qind e tyre pranonin se kishin ndërhyrje politike. Tani këto dukuri, tha ai, po zhduken nga reforma, e cila po sjell një sistem gjyqësor të pavarur, dhe të lirë nga presionet gjatë marrjes së vendimeve.

“Shqiptarët kanë nisur të shohin rezultate, nga largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, dhe arrestimi i politikanëve, policëve, zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve të krimit të organizuar. Mbetet edhe shumë për të bërë. Tani sistemi i ri gjyqësor ka hyrë në një periudhë të re, duke qëndruar i pavarur e i paanshëm, për të mbajtur të fortë demokracinë. SHBA është pranë jush në çdo hap të kësaj reforme dhe nxit autoritet ta vazhdojnë këtë punë të vështirë, pavarësisht pengesave” - thotë zoti Smith.

Ai shtoi se tashmë varet nga vigjilenca juaj e përkushtimi i institucioneve shqiptare, si ILD, për të shënuar përparim në luftën ndaj korrupsionit për të ruajtur integritetin e sistemit gjyqësor.

Ndryshimi mbetet në dorën e njerëzve të sistemit të drejtësisë, sipas tij, për të vijuar atë që nisi me vetingun: ngritja e një sistem të drejtë të pavarur drejtësie.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se reformimi i sistemit të drejtësisë po jep frytet e para, duke nisur me rrëzimin e miteve të pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe politikanëve.

“Arrestimet për akuza korrupsioni po ndodhin para syve të të gjithëve, dhe askush nuk është i pandëshkueshëm, nëse provohet abuzimet me ligjin. Një tjetër mit në dekadat më parë ishte se zëri i qytetarëve nuk mund të hynte në pallatin e drejtësisë. Gjyqtarë të korruptuar sundonin në bashkëpunim me politikanë po aq të korruptuar. Edhe ky mit po bie” – tha zonja Nikolla.

Ndërsa i ngarkuari me punë i Delegaconit të BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, thotë se krahasuar me gjendjen e rëndë të mëparshme, sistemi aktual u përmirësua shumë nga reforma, por ende mbetet shumë punë përpara.

“Ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet në çështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme, marrin dhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi por dhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve” - tha zoti Hupin. - E ardhmja është në duart tuaja. Vettingu vendosi standarde të reja në sistemin e drejtësisë dhe institucionet e reja kanë për detyrë të ruajnë këto standard të reja që solli vetingut”.

Konferenca ndërkombëtare bashkoi në një sallë edhe online inspektorët nga Rrjeti Europian i Inspektimit të Drejtësisë, nga Rumania, Greqia, Franca e Bullgaria, Italia, Belgjika e Spanja.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, Artur Metani, tha se pas mbështetjes së madhe nga SHBA dhe BE, tashmë sfida e zhvillimit të kësaj reforme është përgjegjësia e aktorëve të drejtësisë.

“Respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian dhe ruajtja apo sigurimi i tyre përbën një përgjegjësi të përbashkët për të gjitha institucionet e BE-së, si dhe shtetet anëtare të tij. Megjithatë qasja ndaj tyre, nuk duhet të shihet si kufi, pengesë apo kusht ndaj shteteve të tjera jo anëtare, por si një simbol, i cili na bashkon të gjithëve ne. Kjo është baza e bashkëpunimit tonë edhe në fushën e drejtësisë” - tha zoti Metani.

Në përfundimet e konferencës ndërkombëtare u theksua njëzëri nevoja për të rritur cilësinë e drejtësisë dhe shërbimeve për qytetarët në këtë sistem.

Po ashtu pjesëmarrësit u angazhuan të punojnë për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek organet e drejtësisë përmes pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve, si dhe përgjegjshmërisë dhe kontrolleve të inspektorëve.

Gjatë procesit të vetingut, i cili deri tani ka shqyrtuar gjysmën e punonjësve të drejtësisë, janë larguar nga sistemi gjyqësor afro 45 për qind e gjyqtarëve dhe rreth 37 për qind e prokurorëve.

Autoritetet besojnë se prurjet e reja nga magjistratura dhe gjyqtarët e prokurorët që po e kalojnë me sukses vetingun, do të ngrejnë një sistem gjyqësor profesional përballë krimit, korrupsionit dhe padrejtësive.

XS
SM
MD
LG