Lidhje

Dashuri në kohërat e luftës; martesat vazhdojnë në Ukrainë 


Megjithë luftën në vend ukrainasit vazhdojnë të martohen. Për shumë prej tyre, lufta shërbeu si nxitje për të lidhur kurorën, në veçanti për ushtarakët. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, ceremonitë e martesës zhvillohen shpesh nëpërmjet internetit.

Dashuri në kohërat e luftës; martesat vazhdojnë në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

"A dëshiron ti Oksana, ta marrësh këtë burrë, Oleksiyn, që të jetë bashkëshorti yt, me dashuri dhe miqësi derisa vdekja t'ju ndajë?".

"Po!".

Një fustan i bardhë dhe formula e martesës. Një martesë tipike kjo, përveç faktit se ceremonia mbahet në internet, pasi nusja gjendet në Poloni, dhe dhëndrri është në Ukrainë, në front.

Përpara se Rusia të fillonte luftën në Ukrainë, Oleksiy Kukoba punonte si gazetar. Por, në 24 shkurt, ai iu bashkua Forcave të Armatosura të Ukrainës.

"Nuk e prisja luftën, nuk besoja se do të ndodhte. Megjithatë, nuk i thashë të mos shkonte. Qava. Nuk dua që ai të jetë atje, dua që të jetë pranë meje...", thotë Oksana.

Oksana dhe Oleksiy u takuan katër vite më parë në një televizion ukrainas, ku punonin së bashku. Filluan të frekuentonin njëri-tjetrin pothuajse menjëherë.

"Pashë këtë vajzë të bukur dhe u magjepsa", thotë Oleksiy.

Kur filloi lufta, Oleksiy e bindi të dashurën e tij në atë kohë që të largohej drejt Polonisë, ndërsa ai qëndroi për të mbrojtur vendin.

"Lufta e vë në sprovë marrëdhënien, dhe ajo çfarë ai bëri ka shumë rëndësi për mua", thotë Oksana.

Megjithëse ishin lidhur prej katër vitesh, ata nuk ishin martuar ende. Ndërsa ishte duke shkuar për në Poloni, Oksana hodhi hapin e parë.

"Rrugës për në Poloni, Oksana më dërgoi një mesazh ku thuhej 'Ti ndoshta nuk do, por unë do të martohem me ty'. Unë i thashë 'Dakord, por do ta marr unë iniciativën! A do martohesh me mua?'," tregon Oleksiy.

"Bëj shaka duke thënë se dasma jonë filloi më 24 shkurt dhe vazhdon deri më sot...", thotë Oksana.

Një grua polake që mikpriti Oksanën, i dha nuses së re fustanin e saj të nusërisë për të bërë ceremoninë në internet. Unazat iu dërguan çiftit falas nga një argjendari ukrainase.

"I shkruajta argjendarisë dhe i dërgova fotografinë tonë. U përgjigjën se do të na i jepnin me shumë kënaqësi falas unazat e martesës!", thotë Oksana.

Iniciativa e argjendarisë për ofrimin falas të unazave të martesës befasoi edhe një tjetër çift ushtarakësh që po bëheshin gati të martoheshin.

Volodymyri është ushtar profesionist që mund ta dërgojnë së shpejti në zonat e nxehta të Ukrainës lindore. Ai u dashurua me bashkëshorten e tij vite më parë. Fytyra e tij nuk shfaqet në video për arsye sigurie.

"Ajo është gruaja perfekte, për të cilën pata ëndërruar që fëmijë. E keni parasysh kur krijoni në mendje një person perfekt?", thotë ai.

Lufta e shtyu çiftin t'i zyrtarizonin gjërat. Si shumë çifte të tjera, ata vendosën për një ceremoni dasme tradicionale në kishë.

"Firmosja e letrave është një formalitet, por ceremonia në kishë është një martesë e vërtetë", thotë Volodymyri.

"Ideja ishte e imja. Pata frymëzimin për ta bërë dhe ndjeva se e kishim të nevojshme", thotë bashkëshortja Maria.

Gati 22 mijë çifte janë martuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Në vend të fustaneve të nusërisë dhe kostumeve të dhëndërisë, çiftet shpesh vendosin të veshin kostume popullore apo uniforma kamuflazhi.

XS
SM
MD
LG