Lidhje

Tre të vrarë dhe katër të plagosur në sulmin me armë në një qendër tregtare në Kopenhagë


Një person i armatosur hapi zjarr të dielën në një qendër tregtare në kryeqytetin e Danimarkës duke vrarë tre veta dhe duke plagosur rëndë katër të tjerë.

Kryeinspektori i policisë së Kopenhagës Soren Thomassen, u tha gazetarëve se një 22-vjeçar danez u arrestua pas të shtënave, duke shtuar se nuk kishte asnjë shenjë se ndokush dikush tjetër ishte i përfshirë në sulm, megjithëse policia është ende duke zhvilluar hetime.

Kryeinspektori Thomassen tha se viktimat janë një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare, të dy danezë dhe një rus 47-vjeçar.

Katër persona të tjerë, dy shtetas danezë dhe dy suedezë, po trajtohen për shkak të plagëve dhe janë në gjendje të rëndë por të qëndrueshme, tha zoti Thomassen. Disa persona të tjerë pësuan plagë të lehta ndërsa po iknin nga qendra tregtare, shtoi ai.

Kryeinspektori Thomassen tha se është shumë herët të spekulohet mbi motivin e sulmit, që u krye në orët e vona të pasdites në Field's, një nga qendrat tregtare më të mëdha në Skandinavi dhe që ndodhet në periferi të kryeqytetit danez.

Ndonëse motivi është i paqartë, tha zoti Thomassen, “nuk ka asgjë në hetimin tonë, apo dokumentet që kemi shqyrtuar, apo gjërat që kemi gjetur, apo deklaratat e dëshmitarëve që kemi marrë, që mund të lërë të kuptohet që ky është një akt terrorizmi”.

Ai konfirmoi se i dyshuari ishte i njohur për shërbimet e shëndetit mendor, por nuk dha informacione të mëtejshme.

Dhuna me armë është relativisht e rrallë në Danimarkë dhe ky ishte sulmi më i rëndë që nga shkurti i vitit 2015, kur një 22-vjeçar u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi qëlloi me armë në disa pjesë të kryeqytetit duke lënë pas vetes dy të vrarë dhe pesë të plagosur.

XS
SM
MD
LG