Lidhje

Gjenerali amerikan Christopher Cavoli mori komandën ushtarake të NATO-s


Gjenerali amerikan Christopher Cavoli, mori të hënën postin e komandantit të lartë të NATO-s për Evropën në një periudhë sfiduese për sigurinë e kontinentit për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Gjatë një ceremonie të ndërrimit të komandës në Shtabin e NATO-s, u theksuan sfidat përballë aleancës e cila pritet të rrisë në mbi 300 mijë numrin e trupave të reagimit të shpejtë dhe të pranojë në radhët e saj Suedinë dhe Finlandën të cilat i dhanë fund neutralitetit të tyre pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Gjenerali amerikan Christopher Cavoli mori komandën ushtarake të NATO
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Christopher Cavoli, mori të hënën detyrën e shefit të Komandës së Operacioneve Aleate nga gjenerali i Forcave Ajrore amerikane Tod D. Wolters, në një ceremoni në Shtabin e forcave të NATO-s në Mons.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, falënderoi gjeneralin Walters për shërbimin e tij, duke e përshkruar atë si një komandant të shekullit të 21-të, i cili vendosi një strategji gjithëpërfshirëse dhe të integruar për parandalimin e luftës, që e bëri aleancën më të fortë dhe më të shkathët.

Komandanti i 20-të i lartë i aleancës gjenerali Cavoli ka një karrierë ushtarake 35-vjeçare përgjatë së cilës ka shërbyer në shumë vende, përfshirë Bosnjën, Irakun, Afganistanin dhe Uashingtonin.

Sekretari Stoltenberg tha gjatë ceremonisë të hënën se kohët e fundit gjenerali Cavoli si gjeneral komandues i ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, kishte mbikëqyrur gjithashtu shtimin më të madh të pranisë amerikane në Evropë në dekada, me mbi 100,000 trupa.

Duke përgëzuar gjeneralin Cavoli për postin e ri, sekretari Stoltenberg nënvizoi sfidat me të cilat përballet aleanca, përfshirë agresionin rus në Ukrainë.

"Ju bashkoheni me ne në pikën e kthesës për sigurinë transatlantike, e shënuar nga konkurrenca strategjike në rritje dhe rikthimi i luftës brutale në Evropë. Së bashku me ekipin e jashtëzakonshëm në Shtabin e Forcave aleate në Evropë, e di që do të vazhdoni të përballeni me sfidat dhe mundësitë që ndodhen para nesh, jo më pak kur përgatitemi për të mirëpritur Finlandën dhe Suedinë në aleancën tonë, dy aleatë të rinj të NATO-s me forcë dhe aftësi të madhe ushtarake. Pra, në emër të të gjithëve në NATO urime për rolin tuaj të ri si Komandant i Lartë i Aleatëve në Evropë. Mirë se vini në familjen e NATO-s”, tha sekretari Stoltenberg

Gjenerali Wolters i cili u nderua me medalje për rolin e tij, nënvizoi ndërkaq përpjekjet e pjesëtarëve të NATO-s për të ruajtur paqen në Evropë.

“Për tre vitet e fundit, ju keni derdhur sinqerisht gjakun, djersën dhe lotët tuaj për të prodhuar paqe. Dhe siç tha Sekretari i Përgjithshëm, ne kemi pasur sfida të vështira gjatë rrugës dhe asnjëra nuk ishte shumë e madhe dhe asnjë nuk na detyroi kurrë të jemi në një pozicion për t'u dorëzuar. Dhe për shkak të asaj përpjekjeje të pandalshme për të prodhuar paqe, ne jemi në situatën që jemi sot dhe po punojmë shumë, shumë, për të vazhduar përmirësimin e kushteve. Unë falënderoj secilin prej jush sinqerisht për atë që keni bërë, dhe gjithashtu falënderoj secilin prej jush sinqerisht për atë që do të bëni në të ardhmen e afërt”, tha ai.

Duke marrë detyrën komandanti i ri, Christopher G. Cavoli, vlerësoi lartë punën e pararendësve dhe u zotua të punojë për paqen në Evropë.

”Kjo sjell pasuri për jetën time dhe për përvojën time në ushtri. E di se do të arrijmë shumë së bashku. Ne kemi qenë bashkë. Ne jemi bashkë tani duke u përballur me sfidat e rënda në këtë kontinent. Dhe ne do të ecim së bashku në një të ardhme të bukur paqeje dhe begatie për të gjithë ne. Faleminderit që jeni sot këtu. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha gjenerali Cavoli

Komanda e Operacioneve Aleate planifikon dhe ekzekuton të gjitha operacionet e NATO-s, e cila në fillim të javës së kaluar shpalli planet për të shumëfishuar forcat e saj të reagimit të shpejtë në një periudhë sfiduese për paqen për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG