Lidhje

Parlamenti Evropian kërkon njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi


Parlamenti Evropian - pamje nga arkivi
Parlamenti Evropian - pamje nga arkivi

Parlamenti Evropian bëri thirrje të mërkurën që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mbështet në njohjen e ndërsjellë të këtyre vendeve që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Thirrja është pjesë një rezolute që pasoi miratimin e raporteve vjetore të të dyja vendeve. Kjo shënon edhe rastin e parë që një institucion evropian bën thirrje për njohje të ndërsjellë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se në raport theksohet mungesa e angazhimit serioz në bisedimet Kosovë - Serbi.

“Raporti thekson nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, mbështetur në njohjen e ndërsjellë si përparësi dhe si parakusht për integrim evropian për të dyja vendet. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë qenë lart në agjendë, marrëveshjet e arritura në të kaluarën janë vënë në pikëpyetje, që tregon mungesë të angazhimit serioz”, tha ajo, duke shtuar se Parlamenti Evropian dëshiron të shoh një takim të nivelit të lartë këtë muaj, ndërmjet udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës.

Zonja von Cramon tha se në këtë raport përfshihet edhe mbështetja e plotë për kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. “Megjithatë e kemi bërë të qartë dallimin ndërmjet kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për çfarë kemi thënë se nuk është koha e duhur, marrë parasysh problemet me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të shtonte pritshmëritë brenda vendit, të cilat ne do të na duhej t’i menaxhojmë më vonë”, tha ajo.

Sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën, zonja von Cramon tha se ky proces e gëzon mbështetjen në raportin e miratuar të mërkurën, por është bllokuar në Këshillin Evropian.

“Ne vazhdimisht e trajtojmë këtë me nivelet më të larta me qeveritë franceze dhe holandeze. Personalisht kam qëndruar në Paris për këtë çështje dhe me të vërtetë kemi bërë më të mirën për të zhbllokuar situatën”, tha ajo.

Raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë

Në raportin për Serbinë theksohet mbështetja e plotë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por pas plotësimit të parakushteve, siç është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet procesit të bisedimeve.

“Të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim të plotë në bisedimet me Kosovën, kjo është rruga e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërmjet të dyja vendeve dhe për të rregulluar një herë e mirë marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, në baza të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme”, tha raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik.

Ai tha se në raport bëhet thirrje po ashtu që Serbia të jetë plotësisht në linjë me pozicionimin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, duke iu referuar qasjes së saj ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Shpresoj që Serbia jo vetëm të mbështesë, dhe këtu dua të them se vlerësojmë gjithë mbështetjen që kemi marrë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu të mbështesë masat sanksionuese kundër Rusisë. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë partnerët tanë në Serbi për të qëndruar në linjë me pozicionin tonë. E kuptoj se disa vendime nuk janë të lehta, por ato vendime nuk janë të lehta për askënd në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Zoti Bilçek tha se raporti nënvizon nevojën për reforma të brendshme në Serbi, në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shtypit, situatës ekonomiko sociale dhe mjedisit, duke theksuar se e ardhmja evropiane e Serbisë është shumë e qartë e theksuar në raport.

Në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia “as që do ta shqyrtojë raportin ku bëhet thirrje për njohjen e Kosovës”.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.

Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.

XS
SM
MD
LG