Lidhje

Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për genocidin në Srebrenicë


Në Tiranë, Kuvendi miratoi sot një rezolutë për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta dënon prirjet për ta mohuar këtë gjenocid, si dhe masakrat e krimet e tjera kundër njerëzimit në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutë për genocidin në Srebrenicë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00

Në rezolutë dënohen retorikat nacionaliste të politikanëve, që përmes mohimit të gjenocidit, nxisin urrejtjen etnike dhe pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës.

Me rezolutën e sotme në Kuvend, Shqipëria thekson se “mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar, nxit pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës si dhe shkel dinjitetin e mbi 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë, familjeve të tyre dhe të mbijetuarve, si dhe shkel dinjitetin ndaj 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Sllobodan Milosheviçit”.

Anëtari i Presidencës dhe Kryesues i radhës i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Sefik Dzaferovic, iu drejtua Kuvendit me një video mesazh, ku theksoi se gjenocidi në Srebrenicë 27 vjet më parë, ishte krimi më i madh masiv në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, teksa u vranë brenda pak ditësh mbi 8 mijë burra nga njësitë e ushtrisë dhe policisë së Republika Srpska.

Tragjedia e Srebrenicës është bërë një simbol botëror i vuajtjes dhe krimit në kohët moderne. Me miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë Kuvendi i Shqipërisë konfirmoi përkatësinë në botën e qytetëruar. Rivendosja e besimit në rajon është e mundur vetëm me respektin për të vërtetën dhe për viktimat, gjë që shpresoj të fillojë në gjithë Ballkanin perëndimor pa përjashtim. E ardhmja e përbashkët është europiane dhe euro-atlantike” - tha zoti Zdaferovic.

Përmes kësaj Rezolute Kuvendi i Shqipërisë i bëri thirrje OKB-së dhe organeve të drejtësisë për ndëshkimin e kriminelëve të luftës për gjenocidin dhe krimet e tjera. Po ashtu, Kuvendi i bëri thirrje BE-së dhe NATO-s të përshpejtojnë zgjerimin për Ballkanin Perëndimor, si garanci për sigurinë, paqen dhe demokracinë në këtë rajon.

Kuvendi shpreh dhimbjen e thellë për për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga genocidi në Srebrenicë, si dhe mirëkuptimin e plotë dhe simpatinë e sinqertë ndaj të lënduarve gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë Hercegovinë” - theksoi kryetari i grupit socialist, Taulant Balla.

Deputetët shqiptarë u shprehën përmes rezolutës se është i pamundur dhe i dënueshëm mohimi i gjenocidit në Srebrenicë si dhe i masakrave e krimeve të tjera kundër njerëzimit të kryera në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Ka individë të caktuar që kanë një përkushtim të paimagjinueshëm për të mohuar krimet. Kjo ngjan fatkeqësisht edhe me të shkuarën tonë jo të largët. Mohimi i krimeve të komunizmit është diçka që ka ndodhur në Shqipëri, dhe duhet të na bëjë që të mendojmë dhe të reflektojmë e të mos gabojmë pikërisht me këtë Rezolutë” – thotë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Kuvendi i kërkoi qeverisë të forcojë bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë në rajon, bazuar tek respekti i ndërsjelltë, pajtimi, barazia dhe mirëkuptimi, si dhe të shpallë 11 korrikun si ditën e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Viktimat meritojnë drejtësi. Besojmë që këto krime duhen dënuar, sepse në të kundërtën rrezikojmë përsëritjen e tyre në të ardhmen. Duhen dënuar, sepse në të kundërtën, rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk do të njohë kurrë harmoni dhe bashkëpunim” – thotë ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka.

Ndërsa ish kryetari I Partisë Demokratike dhe ish ministri i punëve të jashtme, Lulzim Basha, theksoi në fjalën e tij, se pas respektimit të viktimave të gjenocidit serb në Srebrenicë, Kuvendi duhet të miratojë edhe një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.

Me këtë rezolutë për Srebrenicën, një numërim mbrapsht ka nisur për të matur kohën që do t’i duhet këtij Kuvendi për të miratuar i lirë në zemër dhe në ndërgjegje, Rezolutën për genocidin serb në Kosovë” - tha zoti Basha.

Seancën plenare e ndoqën nga afër si të ftuar përfaqësues diplomatikë të Bosnjë Hercegovinës, të cilëve deputetët e të dy palëve u shprehën drejtpërdrejt nga foltorja solidaritetin e tyre me familjarët e viktimave të gjenocidit.

XS
SM
MD
LG