Lidhje

Aktivistët reagojnë ndaj planeve të shumicës për të rrëzuar dekretin presidencial për Marrëveshjen e Butrintit


Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit reaguan të dielën në qytetin antik ndaj planeve të shumicës parlamentare për të rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim Marrëveshjen për menaxhimin e ri të Parkut Kombëtar miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e shumicës socialiste.

Sipas Aktivistit Aulon Kalaja, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë pritet të mblidhet të martën dhe ai u bëri thirrje deputetëve të lexonin argumentet e e presidentit në rreth 40 faqe për rishqyrtimin e marrëveshjes.

“Këta duan ta japin me konçesion Butrintin, pavarësisht kundërshtive të forta të arkeologëve, qytetarëve, opozitës dhe Presidentit”, tha zoti Kalaja në një deklaratë në hyrje të Parkut të Butrintit.

Zoti Kalaja tha se Forumi po përgatiste dosjen për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimarrjen për Butrintin.

Ndërsa arkeologu Halil Shabani tha se ai dhe dy kolegët e tij që punonin në këtë rajon nuk ishin këshilluar për këtë marrëveshje dhe ajo ishte në dëm të Butrintit.

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit nga një Fondacion i përbashkët mes ministrisë shqiptare të Kulturës dhe Fondacionit shqiptaro- amerikan për Zhvillim kthye pak kohë më parë për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta si jotransparente dhe e pakonsultuar me ekspertët dhe publikun.

Qeveria nga ana e saj e ka mbrojtur marrëveshjen si një hap me rëndësi për mirëmenaxhimin bashkëkohor të Parkut Kombëtar të Butrintit.

XS
SM
MD
LG