Çështjet aktuale politike nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga programi i reformave dhe rruga evropiane, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në një konferencë për shtyp me kryeministrin Dritan Abazoviq, të enjten në Podgoricë.
Mbledhja e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim u mbajt të enjten për herë të parë në Mal të Zi dhe paraqet një situatë të re gjeopolitike në integrimit e Ballkanit Perëndimor.
“ Ishte e rëndësishme t'u tregohej qytetarëve të rajonit përkushtimin për një të ardhme të përbashkët në BE. Mendoj se situata aktuale gjeopolitike e bën integrimin e Ballkanit Perëndimor një prioritet edhe më të madh strategjik dhe të domosdoshëm gjeopolitik. Kemi përfunduar rishikimin e marrëdhënieve me Malin e Zi. Biseduam edhe për ngjarjet rajonale dhe të brendshme”, tha zoti Borrell.
Mali i Zi shihet gjerësisht si vendi i parë në radhë për anëtarësimin në BE, por përparimi i vendit është ngadalësuar për shkak të tensioneve të brendshme politike, përfshirë zhvillimet e fundit që mund të shkaktojnë rënien e qeverisë së pakicës.
“Mendoj se fokusi i të gjitha palëve duhet të jenë reformat evropiane, asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme për Malin e Zi sesa rruga evropiane, veçanërisht në një kohë kur mund të jetë një udhëheqës në këtë proces. Ju keni potencialin për të qenë një histori e suksesshme sepse shumë kapituj janë të hapur dhe është koha për fazën e dytë”, tha Borell.
Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi paralajmëroi se Mali i Zi po humbet kohë të çmuar.
“ Këto ditë, humbja e kohës nuk është diçka që mund ta përballoni. Koha që po humbisni tani do t'ju lëndojë dyfish, sepse tani duhet të përqendroheni në pasojat e luftës në Ukrainë, por edhe në atë se si të shpejtoni punën tuaj në rrugën drejt BE-së. E kuptoj që ka një konsensus për të ecur përpara më shpejt. Ju lutem, e di që jeta politike këtu është plot ngjyra, vazhdimisht po zbuloj disa nuanca, por ju e bëni në atë mënyrë që ndërkohë të arrini rezultate në interesin tuaj kyç”, tha Varhelyi.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se Mali i Zi ka vetëm një prioritet të politikës së jashtme - anëtarësimin në BE.
“Ne nuk e shohim veten askund tjetër përveçse në familjen e shteteve evropiane. Ne duam të përhapim frymën evropiane në Mal të Zi dhe të përpiqemi me partnerët tanë në këto kohë komplekse të tregojmë konstruktivitet në mënyrën më të mirë”, tha zoti Abazoviq.
Ai shprehu besimin se do të gjendet urtësi e mjaftueshme politike për të realizuar ëndrrën e shumë qytetarëve, hyrjen e Malit të Zi në BE.
Mirëpo, protestat e shpeshta, gjuha e urrejtjes dhe ndarja në grupimin pro-malazez në njërën anë dhe në atë pro-serb në anën tjetër ka ndikuar në rritjen e tensioneve ndëretnike në vend gjë që ndikoi në reformat e duhura në Mal të Zi.
Mali i Zi duhet të zbatojë reformën gjyqësore dhe të sundimit të ligjit, të përmirësojë lirinë e medias dhe të nxisë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.