Lidhje

Kosovë, rriten rastet me COVID-19 gjatë muajit korrik


Në Kosovë, ditët e para të muajit korrik shënuan rritje të rasteve të reja me COVID-19, në krahasim me muajt paraardhës. Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, nga data 1 korrik e deri më 17 korrik janë regjistruar 7 mijë e 617 raste të reja të infektimeve, ndërsa aktualisht janë mbi 5 mijë raste aktive.

Kosovë, rriten rastet me COVID-19 gjatë muajit korrik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00


Të dielën në Kosovë u konfirmuan një rast i vdekjes si pasojë e koronavirusit ndërsa u regjistruan 852 raste të reja të infektimeve nga 2 mijë 201 testimeve të kryera.

Shkalla e infektimeve kundrejt testimeve në muajin qershor sillej rreth 3 për qind, ndërsa në muajin korrik kjo shkallë është sillur afër 40 për qind.

Infektologu, Arben Vishaj, njëherësh drejtor i Klinikës Infektive, tha për Zërin e Amerikës se Kosova tashmë ndodhet në një valë të re të koronavirusit.

“Duket se është një nënvariant i variantit Omicron i cili ka një kapacitet që të përhapet në mesin e qytetarëve në mënyrë bukur të furishme”, tha ai.

Zoti Vishaj tha se aktualisht në klinikën Infektive janë të shtrirë 17 pacientë me COVID-19, nga 54 sa janë në tërë Kosovën. Ai thotë se ditëve në vijim pritet të shtohet numri i personave që do të kërkojnë trajtim nëpër spitale.

“Meqenëse trendi i të infektuarve në komunitet është në rritje ne jemi të vetëdijshëm se ditëve në vijim do të ketë kërkesë për spitalizim dhe për këtë arsye klinika Infektive ka filluar tashmë të lirojë repartet për të pranuar pacientët e infektuar dhe në bazë të këtij trendi të infektuarve në komunitet ne kemi konstatuar se do të rritet kërkesa për spitalizim në ditët në vijim”, tha zoti Vishaj.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për valën e re të infektimeve e cila sipas tyre tashmë veç se ka filluar. Ata po bëjnë thirrje për vaksinim me doza përforcuese, në një kohë kur ky proces është ngadalësuar muajve të fundit për shkak të situatës së qetë me COVID-19.

Deri më sot 824 mijë persona janë vaksinuar me dy doza të vaksinës apo rreth 45 për qind e popullsisë së përgjithshme ndërsa 549 veta me dozën katërt të vaksinës, një javë pas miratimit të saj.

Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi me dozën e katërt dhe për moshat nga 5 deri 11 vjeç për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19.

XS
SM
MD
LG