Lidhje

Pritshmëritë në Shkup për procesin e integrimit në BE


Analistët në Shkup e mirëpresin hapjen e bisedimeve me BE-në, por vlerësojnë se integrimi i vendit do të jetë i vështirë dhe me shumë sfida. Vendimet e viteve të fundit të Bashkimit Evropian kundrejt procesit të integrimit, kanë bërë që të bjerë tek një pjesë e publikut mbështetja për BE-në.

Procesi i integrimit në BE dhe pritshmëritë në Shkup
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:56 0:00

Analisti Xhelal Neziri e shikon ditën e sotme si historike për Maqedoninë e Veriut, por dhe për Shqipërinë për shkak të fillimit të një procesi për të cilin janë bërë shumë reforma, ndryshime dhe kompromise:

Duhet të kemi parasysh faktin se që nga viti 2009 Komisioni Evropian ka rekomanduar negociata për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut, mirëpo qëatëherë vendi ballafaqohet me bllokada të ndryshme dhe me veto. Kemi rastin e Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat para dhjetë viteve nisën negociatat, mirëpo nuk kanë arritur as në gjysmë të rrugës. Dhe mendoj se me metodologjinë e re, e cila u miratua më 2011, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe dy vendet tjera, të cilat janë në procesin negociues, si dhe Ballkani Perëndimor në përgjihtesi do të mund të ecin më shpejtë drejt integrimit në BE”, thotë z. Neziri.

Zoti Neziri thotë për Zërin e Amerikës se procesi duhet të jetë gjithpërfshirës dhe të ngërthejë brenda vetes edhe ekspertë dhe shoqërinë civile që do të ndihmonin në realizimin më të shpejtë të kritereve dhe standardeve që kërkon BE-ja.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që dita e sotme të rikthejë optimizmin dhe besimin në BE, gjë që do të ndikojë pozitivisht në zbatimin e reformave të brendshme në këto vende, sidomos në ato në gjyësor, në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit”, thotë analisti.

Vlora Reçica, hulumtuese e Institutit për Demokraci – Societas Civilis, thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës se Maqedonia e Veriut, që prej ndryshimit të emrit priste lehtësime dhe përfitime, por pritshmëritë për dobi financiare tek popullata e vendit kanë rënë shumë pas bllokadës nga ana e Bullgarisë, por dhe e Francës në vitin 2019 për mosdhënien e datës për çeljen e negociatave.

Ajo tha se ka një trend të rënies së mbështetjes për Bashkimit Evropian nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe sipas analizave të Institutit kjo është shënuar qysh në vitin 2014.

“Nëse në vitin 2014 në përgjithësi mbështetja për BE-në ishte 80 %, në vitin 2021 ajo ra në 68 %. Ajo që është më frapante është se mbështetja ka rënë edhe tek elektorati shqiptar. Pra, edhe popullsia shqiptare në Maqedoni (të Veriut) del me mbështetje pak më të ulët se sa më parë dhe gati se është në nivelin e njejtë me popullsinë maqedonase. Ajo që ne presim, edhepse nuk kemi bërë sondazh për momentin për v. 2022, por ajo që presim në analizën që do të bëjmë në gjysmën e dytë të vitit 2022 është që mbështetja për BE-në të ketë rënë edhe më tepër, sidomos tek popullsia maqedonase dhe jo aq tek popullsia shqiptare”, thotë Z-nja. Reçica.

Ajo vlerëson se propozimi francez nuk është i mirë sepse pranon të gjitha kushtet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, teksa hapë rrugë, sipas saj, për veto të tjera gjatë procesit të integriumit në BE:

Ajo që presim pas Konferencës (Ndërqeveritare me BE) së parë, por dhe pas Konferencës së dytë... shpresojmë që do të ketë një konferencë të dytë, dhe se do të ndryshohet Kushtetuta dhe të futet pakica bullgare në të, të kemi benefite të prekshme nga BE, sidomos ndihma financiare që janë shumë të nevojshme, duke pasur parasysh krizën ekonomike dhe energjietike në vend”, thekson studiuesja.

Ndërkohë që procesi po hapet në Bruksel, opozita dhe rrymat nacionaliste në Shkup janë përpjekur këto javët e fundit ta pengojnë atë në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe protestat e dhunshme.

Hulumtuesja Reçica thotë se ekziston një shkallë mosbesimi midis komuniteteve etnike në MV dhe kjo vihet në pah sidomos kur aktorë të ndryshëm politikë e nxisin një gjë të tillë për të arritur pikë politike madje edhe përmes përpjekjeve për përplasje ndëretnike:

“Tani për tani ende ekziston rreziku që faktorë të ndryshëm politikë të shfrytëzojnë ndjenjat etnike dhe nacionalizmin si mënyrë për përfitime politike, personale dhe partiake”, thotë studiuesja.

Autoritetet në Shkup nuk e fshehin gëzimin për hapin e rëndësishëm të integrimit drejt Bllokut, por procesi megjithatë pritet të jetë i gjatë dhe i mundimshëm. Gjatë një viti e gjysmë të vlerësimit të pritshëm të përputhshmërisë së ligjeve të Maqedonisë së Veriut me ato të BE-së, Shkupi duhet të rishikojë ndryshimet e Kushtetutës për të njohur pakicën bullgare në Preambulë, si kusht për Konferencën e dytë ndërqeveritare, të cilën njohësit e proceseve evropiane e shikojnë si çelje e vërtetë e negociatave.

XS
SM
MD
LG