Në Tiranë, po përkujtohet me veprimtari të ndryshme 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro - amerikane.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, deklaroi sot se miqësia shqiptaro-amerikane do të jetojë gjatë, dhe se Washington-i gjithmonë ka besuar fort tek sovraniteti i Shqipërisë europiane.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe shteteve të bashkuara të Amerikës në 100 vjetorin e tyre ishin sot sërish në qendër të vëmendjes në Tiranë.
Shkak për këtë u bë botimi i studiuesit Roland Qafoku, "Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022" gjatë 10 dekadave.
Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, tha se për çdo ambasador amerikan është nder i veçantë të përfaqësojë në Shqipëri shtetin e vet, jo pse Shqipëria është një vend i madh, apo pse është një vend i pasur, por sepse miqësia midis dy popujve këtu është e jashtëzakonshme.
“Shpresoj të ecim së bashku, të qëndrojmë së bashku si miq. SHBA ka qenë me ju që nga fillimi, që nga ditët e para të Reblikës së Shqipërisë, dhe të Mbretërisë së Shqipërisë, madje edhe më përpara se ato të ndërtoheshin” - tha ambasadorja Kim.
Ajo theksoi se në këto 100 vjet të marrëdhënieve dhe miqësisë Shqipëri - SHBA kanë ndodhur shumë ngjarje, por në dy prej tyre diplomatët u detyruan të evakuohe: në vitin 1946 dhe në vitin 1997.
“Shpresoj që të jetë mësuar mësimet mbi diktaturën në ‘46 dhe mbi dhunën në 1997, në mënyrë që të mos përsëriten më kurrë. Ne besuam tek sovraniteti juaj, tek pavarësia juaj, tek përpjekjet tuaja për të ardhmen. Ne besuam tek Shqipëria në Europën e Bashkuar dhe tek Shqipëria Europiane. Miqësia shqiptaro-amerikane do të jetojë gjatë, theksoi ambasadorja Kim.
Ndërsa autori i librit "Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022", Roland Qafoku, foli mbi karrierën dhe përpjekjet e 22 diplomatëve amerikanë në periudha të ndryshme, nga vitet 1920, gjatë monarkisë zogiste, pushtimit fashist dhe viteve të para të diktaturës komuniste, për t’u kthyer në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Washington-it në vitin 1991.
“Zyrtarisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve janë vendosur në 1922, por historia e këtyre marrëdhënieve daton shumë më herët. Nëse në këto 100 vjet ambasadorët amerikanë ne shqiptarët i quajmë yje, kjo ka vetëm një arësye: politika amerikane ka triumfuar gjithmonë në Shqipëri, sepse ka gjetur mbështetjen e një populli, i cili në 110 vjet shtet I është cënuar Pavarësia, drejtësia dhe demokracia. Në të tre këto elemente themelorë SHBA na kanë mbështetur dhe mbrojtur, dhe kjo është arsyeja historike, pse ne i besojmë aq shumë ambasadorëve amerikanë” - tha studiuesi Qafoku.
Në promovimin e këtij libri foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “SHBA janë pjesë e çdo suksesi të Shqipërisë në 30 vitet e fundit dhe se mbështetja e tyre është e domosdoshme për demokracinë dhe reformat shqiptare”.
Botimi i autorit Qafoku doli në dritë një javë para çeljes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane 100 vjet më parë.
Në këtë përvjetor po zhvillohen një seri veprimtarish të përbashkëta në logon “Krah për Krah”, dhe po kujtohen me nderim shumë burra shteti, që dhanë ndihmesën e tyre në nbarëvajtjen e këtyre marrëdhënieve, duke nisur nga presidenti amerikan Wodrow Willson, i cili u bë avokati mbrojtës i vendeve të vogla në Konferencen e Paqes 113 vjet më parë, në fund të Luftës së Parë Botërore.