Lidhje

220 vatra zjarri prekin sipërfaqet pyjore në Shqipëri 


Albania Fires
Albania Fires

Temperaturat e larta të ditëve të fundit po shoqërohen me vatra të shumta zjarri në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë. Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile gjatë kësaj periudhe të sezonit turistik veror, janë shfaqur 220 vatra zjarri në sipërfaqe pyjore dhe ato me shkurre, që kanë prekur 42 bashki të vendit. Zonat më të prekura nga zjarret janë Prefektura e Fierit, ajo e Shkodrës, Vlorës dhe Tiranës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 20 vatra zjarri, 10 prej të cilave kanë qenë më problematike për shkak të terrenit, por edhe afërsisë me zonat e banuara. Në një prononcim për mediat, zëvendës mistrja e mbrotjes, Dallëndyshe Bici, bëri të ditur se vatra zjarri ka patur në Balldre, Orosh, Lekbibaj, Qesarat, Pus të Mezinit , Krastë, në fshatin Bizë, Gjirin e Lalzit, fshatin Patin të Klosit, në Marikaj dhe Dushk të Lushnjes. Zëvendës ministrja Bici nuk bëri të ditur se sa është sipërfaqja e prekur nga vatrat e zjarreve.

Për shuarjen e vatrave te zjarreve, sipas zëvëndës ministres së Mbrojtjes, janë angazhuar gjatë dy muajve të fundit më shumë se 3 mijë forca të armatosura, zjarrfikës, policë, punonjës të shërbimit pyjor dhe forca vullnetare. Gjithashtu, janë angazhuar edhe 320 mjete, ndërsa në dy operacione të vështira për shuarjen e zjarreve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar ndihmën e Mekanizimit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmë.

Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare mbi përmasat e dëmit të shkaktuar në sipërfaqet pyjore të vendit. Edhe vitin e kaluar nuk pati një raportim zyrtar rreth sipërfaqes pyjore të djegur nga zjarret. E vetmja e dhënë ishte ajo e EFFIS, Sistemit Evropian të Informacionit të Zjarreve në Pyje. Sipas këtij burimi, gjatë vitit 2021 Shqipëria ka patur 291 raste zjarresh, 126 prej të cilëve ishin zjarre masive. Ndërsa sipërfaqja e djegur ishte 29,057 ha, ose rreth 3% e sipërfaqes pyjore të vendit, çka tregon për përmasat e dëmit të shkaktuar nga zjarret.

Prej tre dekadash Shqipëria vazhdon të ketë vështirësi në shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore dhe ato me shkurre. Kjo, për shkak të mungesës së mjeteve të përshtatshme, stukturave të pakta në terren dhe një shërbim pyjor mjaft të reduktuar. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që aktualisht nuk ka një mjet për shuarjen e zjarreve nga ajri, megjithëse pjesa më e madhe e pyjeve shtrihen në terrene të thepisura malore, ku zjarret është e pamundur të shuhen me automjete zjarrfikëse, për shkak të mungesës së rrugëve.

Prej 30 vitesh zjarret në sipërfaqet me pyje kanë shkaktuar dëmtime të pallogaritshme në këtë pasuri kombëtare, e cila, veç kësaj, është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet edhe nga prerjet e paligjshme.

XS
SM
MD
LG