Lidhje

Gjobë ministrisë së Jashtme të Kosovës për moslejim të qasjes në dokumente publike


Gazeta online “Insajderi” në Prishtinë njoftoi të premten se Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës me një shumë prej 13 mijë eurosh, për shkak të refuzimit të kësaj të fundit për të lejuar qasje në dokumente publike.

Në një vendim të Agjencisë për Informim për Privatësi të publikuar nga gazeta online “Insajderi” thuhet se “shqiptohet gjobë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diapsorës për heshtje dhe pamundësim të realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike”, duke nënvizuar se gjoba duhet të paguhet brenda 30 ditësh.

Gazeta online “Insajderi” tha se që nga 15 shkurti i këtij viti, kishte bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet publike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu (bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani) për karburante. Në mungesë të përgjigjes, kjo gazetë tha se në muajin maj e kishte dërguar ankesën në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Agjencia për Informim dhe Privatësi është agjenci e pavarur, përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Organizatat e shoqërisë civile dhe të gazetarëve vazhdimisht kanë ngritur shqetësimet për paamundësinë në qasje në dokumente publike. Organizatat thonë se institucionet përveç që nuk i publikojnë dokumentet, shumë shpesh nuk lejojnë qasje në to edhe pas kërkesave zyrtare.

XS
SM
MD
LG