Lidhje

“Lulja e Vlorës”, Anna Kohen rrëfen në një libër historinë e familjes së saj hebreje në Shqipëri


“Lulja e Vlorës”, Anna Kohen rrëfen në një libër historinë e familjes së saj hebreje në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:37 0:00

“Lulja e Vlorës”, Anna Kohen rrëfen në një libër historinë e familjes së saj hebreje në Shqipëri

Lindur dhe rritur në një komunitet të vogël hebre në Shqipëri, Anna Kohen ka një lidhje të veçantë me qytetin e saj të lindjes, Vlorën. Libri i saj i ri “Lulja e Vlorës”, siç thotë ajo vetë, është një dhuratë për brezat e ardhshëm të familjes së saj, por edhe një mënyrë për të nderuar familjen shqiptare që strehoi familjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe gjithë shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Dr. Anna, siç njihet ajo në komunitetin shqiptaro-amerikan, flet për femijërinë gjatë komunizmit, kujtimet e bukura por edhe të trishta, si edhe për hebrenjtë Romaniotë, një komunitet jo shumë i njohur. Ajo bisedoi me kolegen Keida Kostreci në prag të botimit të librit.

Zëri i Amerikës: Dr. Anna çfarë ju frymëzoi për të shkruar këtë libër të quajtur “Lulja e Vlorës”?

Anna Kohen: Mendova për nipërit e mbesat e mia. Doja që ata të dinin se nga cili vend vij, historinë e jetës sime, sepse mua vetë nuk më kishin lënë kujtime, nuk më kishte thënë askush asgjë për gjyshërit nga ana e nënës, të cilët u vranë dhe u morën gjatë Holokaustit nga Janina e Greqisë. Unë nuk di asgjë për ta. E di historinë e familjes së babait. Pra doja që fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e mia të dinin të gjithë historinë. Prandaj fillova të shkruaj historinë time për nipërit dhe mbesat e mia. Dhe pastaj kuptova se kjo histori mund të kishte një audiencë shumë më të madhe. Dhe kështu vazhdova t’i shkruaja kujtimet edhe për të tjerë.

Zëri i Amerikës: Mund të na flisni për këtë histori tuajën të pazakontë që kalon nga Shqipëria dhe Greqia, për identitetin tuaj si një fëmijë hebre në Shqipëri dhe më pas si e rritur në Shtetet e Bashkuara?

Anna Kohen: Historia fillon në vitin 1938 me prindërit e mi. Në atë kohë, gjyshi dhe gjyshja ime dhe babai im, atëherë një djalë i ri, kishin shkuar në Shqipëri dhe gjetën disa familje të tjera hebrenjsh Romaniotë, që kishin shkuar nga Janina në Vlorë. Ishte një komunitet shumë i vogël dhe ata u bënë pjesë e tij. Kur komunistët erdhën në pushtet, ara nuk mund të largoheshin edhe pse ishin shtetas grekë, kështu që u bllokuan në Shqipëri ku lindëm ne katër fëmijë, pas luftës.

Zëri i Amerikës: Na tregoni pak për fëmijërinë tuaj dhe vitet tuaja si vajzë e re hebreje në Shqipëri…

Anna Kohen: Unë isha një vajzë hebreje dhe isha shumë krenare që isha hebre. Por nga ana tjetër shoqet e mia më të ngushta, ishin një e krishterë dhe një myslimane. Pra, ne të treja ishim shoqe shumë të mira. Fëmijëria ime ishte e bukur. Ne kënaqeshim. Komunikonim shumë mirë me njëra-tjetrën edhe pse kishim besime të ndryshme, por megjithatë feja nuk praktikohej në Shqipëri. Por ne, hebrenjtë e Vlorës e praktikonim fenë tonë fshehtas, nën hundën e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Cilat janë gjërat kryesore që keni dashur të përcillni në libër?

Anna Kohen: Kur prindërit e mi erdhën nga Greqia në Shqipëri, ishte kohë lufte. Në fakt babai kishte shkuar në Janinë për t’u martuar me mamanë dhe e solli në Shqipëri. Kështu që gjatë luftës, ata duhej të fshiheshin diku dhe shkuan në fshatin Tre Vëllazër, një fshat me banorë myslimanë, shumë pranë Vlorës. Dhe aty qëndruan të strehuar nga familja Lazaj. Dhe unë doja të nderoja këtë familje, si të ishte familja ime, dhe të nderoja të gjithë shqiptarët e tjerë për bujarinë e tyre, për atë që kanë bërë për hebrenjtë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Dhe kujtimet tuaja përqendrohen tek familja por edhe tek sfida e saj në kohën e diktaturës komuniste. A mund të na tregoni kujtimet e asaj periudhe?

Anna Kohen: Kur u pranova më në fund në fakultetin e mjekësisë, më duhej të shkoja në Tiranë, por ne nuk ishim shtetas shqiptarë, ishim shtetas grekë. Si e huaj në atë kohë, më duhej të shkoja në polici dhe t'u tregoja se ku po shkoja, se duhej të shkoja në Tiranë. Nëse doja të vizitoja kushërirën time në Kavajë, më duhej të shkoja në polici që t’u thoja. Ishte shumë e vështirë për mua, sepse e urreja të shkoja në stacionin e policisë. Kjo pjesë ishte dëshpëruese. Por jetonim në një vend komunist dhe nuk kishim ç’të bënim.

Për këtë arsye, ky libër do t’u tregojë amerikanëve ose qytetarëve të vendeve që nuk kanë jetuar kurrë nën komunizëm, që e kanë të trashëguar lirinë, se si është e mundur të jetosh pa asnjë liri, përfshirë lirinë e fjalës.

Zëri i Amerikës: Ju e konsideroni veten një bijë të Vlorës, po aq sa e konsideroni bijë prindërish hebrenj. Çfarë është Vlora për ju?

Anna Kohen: Vlora është qyteti im i lindjes. Unë e dua Vlorën dhe e quaj “Vlora ime”.

Vlora është e bukur dhe ka një histori me hebrenjtë që përmendet në libër dhe që shumë njerëz mund të mos e njohin. Hebrenjtë kishin ardhur në Vlorë që nga koha e Inkuizicionit Spanjoll në vitin 1492, në kohë shumë të hershme dhe unë e sqaroj këtë në libër.

Por shkurtimisht libri përmban kujtimet e mia për jetën tim dhe të prindërve të mi, tregon se si u larguam nga Shqipëria dhe besoj se të gjithë do të duan të dinë se si ikëm. Por përveçse janë kujtimet e mia, është edhe një libër edukativ. Njerëzit do të lexojnë librin do të mësojnë për Besën. Pastaj është edhe histori e hebrenjve. Të gjithë e dinë se ka hebrenj Ashkenazi dhe Sefardikë, por nuk dihet shumë për hebrenjtë Romaniotë. Dhe Janina është një nga qytetet që ka më shumë Romaniotë.

Zëri i Amerikës: Doktoreshë Ana, na tregoni pak më shumë për këtë komunitet, hebrenjtë Romaniotë…

Anna Kohen: As unë vetë nuk e dija që isha Romaniote, kështu që kur erdha për herë të parë në Amerikë dhe u thoja njerëzve që isha Sefardike, që vija nga Greqia, nga ku ishin prindërit e mi. Por më pas në vitet '80, po lexoja një libër me këtë temë dhe kuptova që jam Romaniote. Çfarë do të thotë kjo? Romaniotët janë një komunitet shumë, shumë i vjetër hebre, që nga periudha bizantine. Dhe ata ishin vendosur në pjesë të Greqisë si, Janina, Vollos, Arta, Kavalla, në gjithë këto qytete të vogla.

E përshkruaj historinë e tyre në detaje në libër.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët faktin që kishit shtetësi greke. Por edhe sot e kësaj dite nuk keni shtetësi shqiptare edhe pse lidhja juaj me Shqipërinë ka zgjatur gjithë jetën…

Anna Kohen: Është shumë e vërtetë. Unë kam lindur në Shqipëri, ndaj e konsideroj veten gjithmonë një hebre shqiptare, hebre shqiptaro-greke. Megjithatë, ne jetonim në Shqipëri si qytetarë grekë dhe unë nuk kisha shtetësi shqiptare dhe jo shumë njerëz e dinë këtë dhe kjo ishte një tjetër gjë që doja të përfshija në libër dhe të shpjegoja se edhe pse bëj kaq shumë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, nuk jam shtetase shqiptare.

Por ajo që bëj unë është si shpërblim për atë që populli shqiptar ka bërë për hebrenjtë në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, lidhja juaj me Shqipërinë vazhdon edhe sot e kësaj dite. A mund të na thonë se si e ruani këtë lidhje përmes jetës dhe aktivizmit tuaj?

Anna Kohen: Unë kam qenë kryetare e organizatës së grave shqiptaro-amerikane Motrat Qiriazi për më shumë se 25 vjet. Kam qenë e lidhur me komunitetin shqiptar (në Amerikë) që nga viti 1990 dhe është një komuniteti që unë e dua, një komunitet që e ndihmoj është një komunitet për të cilin edhe sot e kësaj dite organizoj aktivitete për programe informimi, programet arsimore për shqiptarët dhe jam në kontakt me shqiptarë në të gjithë botën.

Nuk mund ta harroj se çfarë bëri familja Lazaj për familjen time dhe që shqiptarë të tjerë bënë për familje të tjera hebreje.

Dhe të gjithë e dinë se numri i hebrenjve në Shqipëri pas luftës ishte më i madh se sa para luftës dhe kjo ishte falë zemërgjerësisë së popullit shqiptar. Kështu që unë kam një lidhje shumë të ngushtë dhe sa herë marr një telefonatë për ndihmë, unë ndihmoj edhe nëse e njoh ose nuk e njoh personin.

Zëri i Amerikës: Çfarë na tregon historia juaj për identitetin pasi ju keni të gjitha këto identitete të ndryshme të mishëruara tek ju si person?

Anna Kohen: Në Shqipëri ne jetonim si shtetas grekë apo të huaj. Ne u larguam nga Shqipëria dhe shkuam në Greqi, grekët nuk njohën as prindërit e mi grekë, as ne si grekë. Pra ne jetonim në Athinë dhe ishim pa shtetësi.

Nuk është gjë e mirë të jesh pa shtetësi, megjithatë, ne jetuam si të tillë deri kur erdhëm në Shtetet e Bashkuara. Prindërit e mi u larguan më herët nga Greqia dhe unë vazhdova të qëndroja për të përfunduar studimet për stomatologji. Kur erdha në Amerikë, gjëja e parë që bëra në aeroport ishte që vura yllin hebre dhe mendova: Kam ardhur në një vend që do të më japë lirinë që nuk e kam pasur kurrë. Do ta vë hapur yllin tim hebre dhe, gjë që nuk mund ta bëja në Greqi.

Erdha në një vend ku më në fund mora shtetësinë. U bëra shtetase amerikane pesë vjet më vonë. Pra kjo është e vetmja shtetësi që kam pasur në gjithë jetën time.

Zëri i Amerikës: Dhe çfarë mesazhi doni që të marrin lexuesit nga libri juaj?

Anna Kohen: Dua t’u them të gjithëve se të shkruash për veten tënde, të tregosh historinë tënde, nuk e bën gjithkush. Por unë e bëra sepse ndjeva se nëse leximi i këtij libri do të frymëzonte njerëzit, kjo do të ishte një arritje e madhe.

I shkruari i librit “Lulja e Vlorës” ishte një sfidë, ishte një rrugëtim dhe një punë e bërë me dashuri.

Zëri i Amerikës: Libri del në anglisht në shtator. Po një version shqip do të ketë?

Anna Kohen: Meqë ra fjala, ky është libri në anglisht, dhe mund të porositet paraprakisht përmes Amazon.com. Versioni shqip do të dalë në kohë për t’u shfaqur në panairin e librit në Tiranë (në nëntor). Libri do të botohet nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG