Lidhje

OKB: eksporti i drithit ukrainas duhet të rifillojë brenda pak ditësh


Një punëtor duke ngarkuar kamionin me drithë në Odesa (23 qershor 2022)
Një punëtor duke ngarkuar kamionin me drithë në Odesa (23 qershor 2022)

Kombet e Bashkuara thanë të hënën se eksportet e drithit nga Ukraina duhet të rifillojnë brenda pak ditësh, ndërsa dënuan bombardimin nga Rusia të portit kryesor në Detin e Zi, Odesa, vetëm brenda pak orësh pasi ra dakort të rifillohej transporti i ushqimeve.

Eksporti i drithit do të bëhet nga Odesa dhe dy porte të tjera në Detin e Zi, nga porti Chernomorsk dhe Yuzhny, tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, i cili shtoi se “duam të sigurohemi se do të jenë të gjitha kushtet e duhura për udhëtimin e sigurtë të anijeve”.

“Çdo gjë që nuk i përmbahet kësaj, sigurisht që nuk ndihmon për suksesin e kësaj iniciative”, tha zoti Haq ndërsa përsëriti dënimin nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres të sulmit me raketa ruse ndaj Odesas.

Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u shpreh se “nuk ka asgjë në angazhimet (për eksportin e drithit) që firmosi Rusia në Stamboll, që do të na ndalonte vazhdimin e operacionit tonë special ushtarak, shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe objektivave të tjera ushtarake”.

Rusia tha të hënën se goditjet e saj me raketa ndaj objekteve ushtarake në Odesa, nuk duhet të ndikojnë tek marrëveshja për rifillimin e eksportit të drithit.

Zjarrfikësit duke punuar tek një nga objektet e goditura nga raketet ruse në portin Odesa (23 korrik 2022)
Zjarrfikësit duke punuar tek një nga objektet e goditura nga raketet ruse në portin Odesa (23 korrik 2022)

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se sulmet "nuk kanë lidhje me infrastrukturën që përdoret për eksportin e grurit".

Rusia fillimisht kishte mohuar çdo përfshirje në sulmin e së shtunës, por tha të dielën se forcat e saj ishin përgjegjëse.

Zyrtarët ukrainas thanë se po punonin për të rikthyer eksportet e grurit pas marrëveshjes së nënshkruar të premten nga Ukraina dhe Rusia.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndihmuan me ndërmjetësimin e marrëveshjes, e cila kërkon që flota ruse në Detin e Zi të lejojë kalimin e sigurt nëpër zonat që Rusia ka bllokuar që kur nisi pushtimin e saj në Ukrainë në fund të shkurtit.

Marrëveshja u përshëndet si një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së një krize globale të ushqimeve, dhe shefi i OKB-së Guterres e quajti atë "një fener shprese, mundësie dhe lehtësimi".

Pas sulmit të së shtunës, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi Rusinë, duke thënë se ajo po rrezikonte marrëveshjen e grurit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi "hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes [të së premtes] dhe dëmton punën e OKB-së, Turqisë dhe Ukrainës për të sjellë ushqime jetësore në tregjet botërore".

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG