Lidhje

Pelosi nis vizitën në Azi, nuk përmend Tajvanin


Zyra e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi konfirmoi të dielën se ajo do të udhëheqë vizitën e një delegacioni të Kongresit amerikan në Azi, por nuk përmendi nëse zonja Pelosi synon ta sfidojë Kinën, duke u ndalur edhe në Tajvan.

Nëpërmjet një deklarate, zonja Pelosi tha se ajo dhe një grup prej pesë ligjvënësish të tjerë të Partisë Demokrate po shkojnë në Azi "për të riafirmuar angazhimin e palëkundur amerikan ndaj aleatëve dhe miqve të saj në rajon”.

Në deklaratë thuhet se udhëtimi do të përfshijë ndalesa në Singapor, Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni. Ligjvënësit kanë vizituar tashmë Havain, ku janë takuar me përfaqësues të Komandës shtarake amerikane të Indo-Paqësorit.

Mediat amerikane njoftuan të premten se zonja Pelosi kishte planifikuar paraprakisht të ndalonte në Tajvan. Vetë zonja Pelosi ka folur në mënyrë indirekte për një mundësi të tillë, edhe pse zyra e saj nuk e ka konfirmuar, duke përmendur protokollet e sigurisë.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, do të shënonte vizitën e nivelit më të lartë të SHBA-ve në Tajvan që nga viti 1997, kohë kur ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich udhëhoqi një delegacion të Kongresit në ndalesën e tyre në këtë vend.

Kina ka paralajmëruar vazhdimisht se një vizitë e zonjës Pelosi në Tajvan do të ishte një shkelje e papranueshme e asaj që Pekini e sheh si sovranitet të saj mbi ishullin e vetëqeverisur.

Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Nga ajo kohë Partia Komuniste e Kinës është zotuar të marrë kontrollin e Tajvanin, duke bërë të ditur se do të përdorë edhe forcën nëse do të ishte e nevojshme.

XS
SM
MD
LG