Lidhje

Aktivisti amerikan shpëton me dronë kafshët në Ukrainë


Aktivisti amerikan shpëton me dronë kafshët në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Një aktivist nga Florida ka angazhuar dronët në punën e tij mjedisore. Por, së fundmi ai gjeti një mënyrë për t'i përdorur ato për të shpëtuar kafshët në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Douglas Thron nuk është një operator i zakonshëm i dronëve. Një ambientalist dhe aktivist i mbrojtjes së kafshëve, ai përdor aftësitë e tij për të ndihmuar kafshët në zonat e fatkeqësive. Duke përdorur dronë të pajisur me kamera termike, ai kontrollon zonat për kafshë të ngecura në pemë ose të bllokuara nën rrënoja.

“Gjetja e kafshëve të bllokuar ishte një proces i vështirë për shkak të sasisë së madhe të rrënojave. Kështu që instalova një kamera me rreze infra të kuqe për të diktuar nxehtësinë e trupit të kafshëve. E provova dhe funksionoi aq mirë sa që tani e përdor këtë në të gjithë botën”, thotë ai.

Thron i pajisi dronët e tij me një projektor special dhe një aparat zmadhimi.

Me të, ai ka shpëtuar qentë pas një uragani në Bahamas, koalat nga zjarret australiane dhe kafshë në shumë rajone të tjera nga Kalifornia deri në Republikën Domenikane.

Por, Douglas Thron thotë se lufta në Ukrainë e rëndoi atë më së shumti.

Ai kaloi javë të tëra atje. Pas një pushimi të shkurtër në shtëpi, ai do të rikthehet në Ukrainë.

“Normalisht, punoj në zonat e goditura nga zjarret, tornadot dhe uraganet. Ukraina ka qenë shumë ndryshe sepse tragjedia atje u krijua nga njeriu, dhe është diçka që mund të shmangej”, thotë aktivisti amerikan i mbrojtjes së kafshëve.

Zoti Thron punon në zonat më të goditura të rajonit të Kievit. Deri më tani, ai ka shpëtuar dhjetëra mace dhe qen. Nëse ai nuk i gjejnë pronarët e kafshëve shtëpiake, ai i dërgon ato në një strehë të përkohshme.

“Po përpiqemi të gjejmë pronarët, dhe sigurisht që shumë prej tyre, për fat të keq, kanë humbur jetën, ose janë detyruar të largohen nga vendi. Shpesh, jemi kontaktuar nga njerëz që na thanë: 'Po, e njoh këtë kafshë, a mund ta gjeni një shtëpi të mirë për të? I afërmi im vdiq nga bombardimet.”

Zoti Thron solli në Florida disa mace që i kishte shpëtuar në Ukrainë.

“Gjetëm një mace me kotelet e saj në katin e tetë të një ndërtese të bombarduar. Fatkeqësisht, të gjithë njerëzit kishin vdekur nga bombardimet. E gjetëm macen pranë një frigoriferi duke i ushqyer kotelet e saj dhe i shpëtuam.”

Miku i tij Ryan Okrant po ndihmon zotin Thron të shpëtojë kafshët. Ata i mbulojnë vetë të gjitha shpenzimet, por së fundmi kanë filluar të marrin fonde private. Zoti Thron nisi një fushatë të mbledhjes së më shumë fondeve në faqen e internetit të grupit GoFundMe për të shpëtuar më shumë kafshë.

"Kur ne mbrojmë dhe shpëtojmë kafshën shtëpiake të dikujt, në shumicën e rasteve kjo është e vetmja gjë që u ka mbetur atyre."

Historia e aktivistit Douglas Thron ra në sy të Hollivudit dhe puna e tij është përmbledhur në një emision të quajtur "Doug to the Rescue" në kanalin “CuriosityStream”.

XS
SM
MD
LG