Lidhje

Vullnetarët dërgojnë makina në frontin ukrainas 


zaporizhzhia car

Kur Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit, shumë ukrainas të zakonshëm filluan të ndihmojnë ushtrinë, megjithëse nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë vetë në luftime. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kateryna Markova, njofton se si po ndihmojnë vullnetarët ukrainas në Zaporizhzhia.

Vullnetarët dërgojnë makina në frontin ukrainas
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Serhiy Abramov ka ndihmuar vullnetarisht që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Fillimisht, ai ndihmoi me rroba dhe ushqime. Tashmë, ai dërgon makina në vijën e frontit.

"Fillova duke dërguar salçiçe, duke ndihmuar me transportin e ushqimeve. Pastaj filluam të dërgonim edhe makina, duke i gëzuar kështu të gjithë. Makinat prishen në vijën e frontit dhe kur kjo ndodh nuk kanë ku t’i riparojnë”, thotë ai.

Pavarësisht nga sasia e makinave që dërgohen, kërkesa vazhdon të jetë e lartë.

“Sapo i humbëm tre makina, kështu që kishim nevojë për më shumë. Kështu funksionon këtu. Luftë është. Dikush na pikasi dhe makinat u shkatërruan. Nuk mundem t’ju them saktësisht se si i përdorim, por ky është realiteti...”, thotë një ushtarak me pseudonimin “Spanjolli”.

Zoti Abramov thotë se duhet të paktën një javë për ta sjellë një makinë nga Evropa deri në frontin ukrainas. Makina duhet të inspektohet nga ana teknike dhe pastaj të lyhet me bojë, proces që kërkon edhe dy ditë të tjera.

Që kur filloi lufta, është bërë më e vështirë gjetja e makinave për t’i dërguar në front. Nuk ka furnizim të mjaftueshëm dhe kjo ka rritur shumë kërkesën dhe çmimet.

Grupi i zotit Abramov ka dërguar mbi dhjetë makina në front. Por, ai thotë se numri i përgjithshëm i dërguar nga një koalicion vullnetarësh është shumë më i lartë.

“Ndonjëherë habitem se si arrijmë t’i gjejmë këto makina në Evropë... Kemi blerë tashmë mijëra, ndoshta dhjetëra mijëra, të gjitha falë punës së vullnetarëve dhe fondeve që ata mbledhin”, thotë ai.

Zoti Abramov thotë se paratë vijnë nga donacione private nga mbarë bota. Fondet për blerjen e makinës për ushtarakun me pseudonimin “Spanjolli”, erdhën nga departamenti i ortopedisë të spitalit të qytetit Brzesko, në Poloni.

“Kam punuar në Poloni për tre vjet; punonjësit e mbështesin Ukrainën. Të gjithë e kuptojnë se në këto momente atdheu ynë po mbron të gjithë Evropën nga Rusia. Prandaj u kërkova kolegëve të mi të ndihmojnë duke mbledhur fonde për një makinë dhe shumë prej tyre ndihmuan me shumë kënaqësi. Pra, departamenti polak i ortopedisë bleu një makinë për forcat e armatosura të Ukrainës. I jam shumë mirënjohës kolegëve të mi që mundëm të ndihmojmë ushtarët në front”, thotë doktori vullnetar Oles Maznev.

Puna vullnetare kërkon kohë, energji dhe burime financiare. Por, zoti Abramov thotë se pasi e ke provuar, është e vështirë ta lësh punën vullnetare.

“Është ngjitëse. Në këtë pikë është e pamundur të thuash jo. Është si një punë për të cilën nuk të paguajnë. Kështu që kur njerëzit kërkojnë diçka, thjesht hidhesh në veprim për t’i ndihmuar...”, thotë ai.

Së bashku me makinat, zoti Abramov po dërgon edhe jelekë antiplumb, radio komunikimi dhe paisje të tjera.

XS
SM
MD
LG