Lidhje

Sulm i armatosur ndaj policisë në veriun e Kosovës – pa dëme në njerëz


Policia e Kosovës tha se një patrullë e saj është sulmuar me armë zjarri në veriun e banuar me shumicë serbe, por sulmi kaloi pa dëme ne njerëz

Në një njoftim të policisë thuhet se sulmi u krye në liqenin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, që shtrihet afër kufirit me Serbinë. Sulmi sipas policisë ndodhi derisa “patrulla ishte duke vendosur një barkë patrulluese në liqen”.

“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të dielën tensione të larta shpërthyen në veri ku grupe serbësh të mbështetur nga Beogradi, u hodhën në protesta dhe bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimet e qeverisë së Kosovës për të vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qeveria e Kosovës vendosi të pezullojë deri më 1 shtator zbatimin e vendimeve me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e Ligjit, Lars Gunnar-Wigemark, dënoi sulmin ndaj policisë duke nënvizuar se sulmet e tilla “jo vetëm që janë të rrezikshme, janë edhe veprime kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. EULEX-i do të rrisë patrullat në atë pjesë”, thuhet në një postim të shefit të EULEX-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke e dënuar sulmin e sotëm tha se “kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se po zhvillohet një hetim i plotë i incidentit. “Sot, rrugët janë pa barrikada. Por, bandat kriminale vazhdojnë të barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”, shkroi ai.

Diplomatët amerikanë thanë se vendimet e qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit janë në harmoni me marrëveshjet e arritura në Bruksel në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i cili ftoi për një takim me 18 gusht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për të ripërtërirë bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Më një synim të tillë bisedimet filluan që në vitin 2011, por edhe më tej përparimet janë të pakta. Beogradi i mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG