Lidhje

Kosovë, shqetësime mbi zgjedhjen e nënkryetarit të ri të parlamentit serb


Kosovë, shqetësime mbi zgjedhjen e nënkryetarit të ri të parlamentit serb
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:42 0:00

Kosovë, shqetësime mbi zgjedhjen e nënkryetarit të ri të parlamentit serb

Shpend Duzhmani nga fshati Korenicë i Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, me 27 prill të vitit 1999, ishte detyruar nga forcat serbe të largohej nga shtëpia me gjithë familjen.

“Rreth orës shtatë na ka ardhur një polic i veshur si rezervist, na ka thënë kush është në familje dilni shpejt sapo të bëhen tre minuta prej shtëpisë, përndryshe kënd do ta gjejmë në familje do t’i vrasim”, rrëfen ai për Zërin e Amerikës.

Pasi kishte bërë pak rrugë për në fshatin Mejë të Gjakovës, familja e Shpendit u ndalua nga forcat serbe dhe u nda në dy pjesë. Aty ishte hera e fundit që Shpendi pa dy vëllezërit e tij dhe dhjetë të afërm të tjerë. Rreth 400 shqiptarë atë ditë u vranë nga forcat serbe.

“Unë i kam dy vëllezërit, Pashku dhe Marjani, është djali i axhës Pali, axha Kola, djali tjetër i axhës Agroni dhe pesë kushërinj të tjerë Gustini, Frana, Mikeli, Manueli dhe Gëzimi, si dhe dy nipat Pjetër dhe Tom Kacoli. Prej fshatit tonë janë 70 të vrarë, vetëm lagjja jonë e cila i ka tetë shtëpi, i ka 30 të vrarë”, thotë ai.

Pjesa më e madhe e trupave ishin shpërndarë nga forcat serbe dhe familjarët e Shpendit, u gjetën pas rreth dy vjetësh dhe u varrosën në Mejë. Ai thotë se pritja për ta ishte plot ankth e vuajtje, siç është sot pritja për vënien e drejtësisë në vend.

Por, drejtësia për Shpendin dhe shumë të tjerë si ai, 23 vjet pas luftës duket të jetë ende shumë larg…

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, përgjegjëse për krimet e kryera në këtë zonë dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës është brigada e 549-të e motorizuar e Ushtrisë së ish Jugosllavisë. Kjo brigadë gjatë luftës në Kosovë udhëhiqej nga Bozhidar Deliç, i cili para pak ditësh u zgjodh nënkryetar i parlamentit të Serbisë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare i tha Zërit të Amerikës se është për keqardhje që një person i cili është i dyshuar dhe për të cilin sipas tij ka prova të mjaftueshme se është i përfshirë në krime masive gjatë luftës në Kosovë të ketë një post të tillë.

“Kjo brigadë ka marrë pjesë në shumë krime masive që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, por ajo më masivja ka qenë në fshatin Mejë dhe fshatrat përreth dhe dyshohet se Bozhidar Deliç ka pasur një rol të madh në organizimin e asaj masakre”, tha ai.

Zoti Blakaj thotë se në territorin e përgjegjësisë së kësaj brigade, ku përshihen komuna e Gjakovës, Suharekës por edhe komuna të tjera në Kosovë, janë vrarë rreth dy mijë civilë shqiptarë.

23 vjet pas luftës, komandanti i brigadës nuk është dënuar kurrë për krimet e kryera në Kosovë.

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, në vitin 2008 ka bërë një kallëzim penal ndaj tij dhe dhjetë pjesëtarëve të tjerë të kësaj brigade. Shumë vite më vonë prokuroria ka ngritur aktakuzë vetëm ndaj dy pjesëtarëve të kësaj brigade, duke e lënë t’i ikë përgjegjësisë edhe komandanti i brigadës Bozhidar Deliç”, thotë zoti Blakaj.

Vetëm njëri nga të akuzuarit është dënuar, thotë zoti Blakaj, ndërsa tjetri është shpallur i pafajshëm. I dënuari nuk e ka vuajtur asnjëherë dënimin, thotë ai, ndërsa thekson se të dy përgjatë procesit gjyqësor janë mbrojtur në liri.

Shpendi çdo ditë rrugës për në punë, kalon pranë varrezave në fshatin Mejë, ku 19 varre janë ende bosh. Ai thotë se zhgënjimin e tij me drejtësinë e shton zgjedhja e një individi si Bozhidar Deliç në postin nënkryetarit të parlamentit serb.

“Sa herë që kaloj këndej për të shkuar në punë, ndihem shumë i mërzitur e shumë i stresuar por megjithatë ne e kemi një vend ku vijmë. Na dhimbsen edhe ata 19 persona të pagjetur, edhe të gjithë të pagjeturit tjerë në Kosovë qoftë në Gjilan, Podujevë a Mitrovicë sepse ne e dimë shpirtërisht se çfarë është mungesa e tillë e anëtarit të familjes, posaçërisht për prindin për babain dhe nënën”, thotë ai.

Zoti Blakaj, thotë se me këtë qasje të Serbisë nuk mund të arrihet pajtim me Kosovën.

“Drejtësia tranzicionale parasheh qartë se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin shtetet që kanë dalur nga një luftë në mënyrë që të adresohen nevojat e viktimave dhe të gravitohet drejt një paqeje të qëndrueshme e eventualisht pajtim. Kjo çfarë ka ndodhur me emërimin e Bozhidar Deliç-it si nënkryetar i kuvendit të Serbisë tregon se nuk ka vullnet politik në Serbi që të përballet me të kaluarën e vet, nuk ka vullnet politik që t’i pranojë viktimat. Pra, me këtë dinjiteti i viktimave edhe një herë shtrihet përtokë”, tbotë ai.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 620 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG