Lidhje

Raporti i ‘Amnesty International’ për Ukrainën nxit zemërim e dorëheqje 


A mother pushes her child in a carriage through a puddle after a rainstorm in Pokrovsk, Donetsk region, eastern Ukraine, Aug. 4, 2022.

Organizata “Amnesty International” kërkoi ndjesë të dielën për "shqetësimin dhe zemërimin" që ka shkaktuar një raport i saj publikuar të enjten, ku akuzohej Ukraina për vënien në rrezik të civilëve.

Por organizata tha sot se megjithatë i qëndron plotësisht gjetjeve të paraqitura. Në një email dërguar agjencisë “Reuters” të dielën, “Amnesty International” shkruante se kishte gjetur forcat ukrainase pranë zonave civile, në 19 qytete e fshatra që kishte vizituar, gjë që siç thotë organizata, i kishte ekspozuar ata ndaj sulmeve ruse.

Publikimi i raportit shkaktoi dorëheqjen e kryetares së “Amnesty International” për Ukrainën dhe nxiti kritika nga Kievi e diplomatë perëndimorë, të cilët akuzuan autorët e tij për pretendime të paqarta që dukej se barazonin veprimet mbrojtëse të ushtrisë ukrainase, me taktikat e pushtuesve rusë.

Kryetarja e dorëhequr e “Amnesty International” për Ukrainën, Oksana Pokalchuk, tha se kjo organizatë nuk mori parasysh kundërshtimin e saj ndaj raportit, duke shtuar se ai ishte një dhuratë propagande për Moskën.

Në një deklaratë të postuar të premten në mbrëmje në Facebook, Oksana Pokalchuk akuzoi organizatën për shpërfillje të realitetin në një kohë lufte në Ukrainë dhe shqetësimeve të anëtarëve të personelit lokal, që kishte kërkuar që raporti të ripunohej.

Në një reagim ndaj raportit, Presidenti Volodimir Zelenskiy akuzoi grupin se po përpiqej të shkarkonte agresorët rusë nga përgjegjësia.

Zyrtarët ukrainas thonë se përpjekjet e tyre janë përqendruar tek evakuimi i civilëve nga zonat që ndodhen në vijën e parë të frontit. Rusia, e cila mohon të ketë shënjestruar civilë, nuk ka komentuar rreth gjetjeve të raportit.

Moska ka justifikuar në mënyrë të përsëritur sulmet në zonat civile, duke pretenduar se luftëtarët ukrainas kishin ngritur pozicione zjarri në vendet që kanë qenë objektiv i saj.

XS
SM
MD
LG