Lidhje

Sfidat me sigurinë e plazheve shqiptare


Sfidat me sigurinë e plazheve shqiptare
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:16 0:00

Sfidat me sigurinë e plazheve shqiptare

Sezoni turistik në Shqipëri ka hyrë në periudhën me ngarkesën më të madhe të pushuesve dhe përballet me mjaft sfida. Disa incidente në det këtë vit ku në njërin prej tyre humbi jetën një fëmijë 7 vjeçar, kanë rikthyer shqetësimin për përmirësimin e sistemit të sigurisë në plazhet shqiptare. Në bregdetin e Sarandës, përmirësimet po kërkohen veçanërisht në rregullimin e aktivitetit të mjeteve të lundrimit që kryejnë shërbime turistike.

Sokol Sulejmani, një roje plazhi në gjirin bregdetar të Sarandës detyrohet t'i fryjë bilbilit kur pushuesit e kalojnë perimetrin e sigurisë të vendosur në det nga Bashkia e Sarandës.

Sokoli thotë se disa herë në ditë i kthen pas pushuesit që shkelin rregullat ndërkohë që këtë vit ai ka shpëtuar nga mbytja një vajzë 13 vjeçare ndërsa vitin e shkuar është përballur me tre raste të rrezikut të jetës në det.

“Nëse kalon perimetrin e duhur që ne kemi vendosur me shenja në det jam i detyruar ta kthej sepse mund të kalojë një skaf apo një motor uji dhe mund ta dëmtojë”.

Vetëm Gjiri i Sarandës, i kthyer në plazh publik, ka 8 roje plazhi me disa kulla vrojtimi, ndërkohë që Bashkia Sarandë e ka rritur këtë vit numrin e stacioneve të plazheve në 148 nga 135 që ishte një vit më parë.

Ndërsa në plazhet në qytet që administrohen nga bashkia respektohet detyrimi i kullave të vrojtimit dhe vrojtuesve nga një vëzhgim i shpejtë në plazhet që administrohen nga privatët ka ende mjaft mangësi.

Një nga sfidat kryesore në sistemin e sigurisë së plazheve në Shqipëri lidhet pikërisht me mungesën e kullave të vrojtimit dhe vrojtuesit.

Federata Kombëtare e Vrojtuesve të Plazheve në Shqipëri thotë se ka këtë vit rreth 1.200 vrojtues të liçensuar nga rreth 3.000 stacione plazhi që duhet të mbulohen në zonën bregdetare ku nuk kanë munguar edhe këtë vit humbjet e jetës në det.

Të dhënat e Federatës tregojnë se mbi gjysma e plazheve nuk mbulohen nga vrojtues të liçensuar ndërkohë që në një pjesë të madhe është evidentuar edhe mungesa të pajisjeve të domosdoshme për vrojtuesit apo mosqëndrimi i tyre në kulla.

Kuadri ligjor për sigurinë e plazheve është i plotë, por ai nuk respektohet, thotë kryetari shoqatës së bizneseve turistike te Sarandës Arben Çipa.

“Sistemi i sigurisë së plazheve është përparësia numër një. Nga ana ligjore sistemi është shumë mirë i kompletuar se është një model i marrë nga vendet ku është aplikuar prej dekadash mirëpo kërkohet një kontroll i përditshëm që edhe sistemi të funksionojë, edhe sistemi të kontrollohet, por edhe qytetarët të ndërgjegjësohen në këtë drejtim”

Zoti Çipa thotë se për të shmangur incidentet në det, siç ishte vrasja e 7 vjeçares në Himarë nga një skaf brenda perimetrit të sigurisë duhet që bashkitë të zbatojnë ligjin. Sipas tij, duhet të ketë një kordinim dhe bashkëpunim mes aktorëve përgjegjës për masat e sigurisë që duket se ka munguar deri tani.

Kjo dëshmohet nga përgjegjësitë që institucionet ia lënë njëra-tjetrës sa herë ndodhin incidente në det.

“Në rast se qeveritë vendore do të ishin në lartësinë e duhur edhe këto lajme të cilat dëgjojmë për humbjen e jetës në det mendoj se nuk do do dëgjoheshin. Duhet një koordinim dhe bashkëpunim midis administratës, si nga qeveria vendore, si nga autoriteti portual, si nga policia e kufirit dhe në këtë rast do kishte një rezultat më të mirë nëse këto do bashkëpunonin me njëra tjetrën”.

Zoti Çipa sjell një rast konkret të nevojës së rregullimit të aktivitetit të anijeve turistike argëtuese nga Bashkia, numri i te cilave eshte shtuar në qytetin bregdetar jashte kapacitetit të gjirit të vogël detar të Sarandës duke rritur rrezikun ndër të tjera edhe për dëmtime apo përplasje të tyre sidomos në rast të motit te keq.

"Ne kemi bërë propozimet përkatëse në Këshillin Bashkiak, të studiuara, pas konsulencave me njerëzit e duhur, profesionistë të fushës si dhe subjektet e duhura, kemi bërë edhe një propozim konkret se sa anije përballon tregu por edhe kushtet e sigurisë në Gjirin e Sarandës Kjo është rënë dakort nga të gjitha palët, është votuar, por zbatimi s'ka ndodhur”.

Në Bashkinë e Sarandës ka një rritje të ndërgjegjësimit dhe veprimeve konkrete për sigurinë e plazheve pas incidentit të fillimgushtit në Himarë. Përgjegjës i informimit Thoma Nika thotë se janë shtuar monitorimet dhe kontaktet sidomos me operatorët turistikë.

“Janë bërë disa kontakte me sipërmarrjet, pronarë të skafeve ,motorrëve të ujit ,të mjeteve të tjera të lundrimit që të bëhen të ndërgjegjshëm për nevojnë e zbatimit dhe të disiplinimit të lundrimit dhe nevojës së raportimit tek autoritetet portuale për çdo hyrje dhe dalje në gjiret e Sarandës. Ngjarja e Himarës e ka rritur këtë ndjeshmëri tek të gjithë”.

Zoti Nika thotë se janë ndaluar për herë të parë nga policia kufitare motorët e ujit dhe është shtuar kontrolli per sipërmarrjet që marrin plazhet me qera.

Në plazhet e Sarandës, gjiret e saj dhe kam parasysh jo vetëm qytetin por edhe zonat përreth janë të ndaluara tashmë të dalin në det motorët e ujit dhe kjo ka dhënë më shumë siguri.

Zoti Nika thotë më tej se është në përfundim nga bashkia përcaktimi i koridoreve hyrëse dhe dalëse për motorrët e ujit dhe një rregullore strikte e funksionimit të tyre.

"Për mjetet e vogla Saranda ka një vend ankorimi në limanin e qyteti ndërsa për motorët e ujit është duke u finalizuar puna për të ligjëruar përfundimisht koridoret e hyrjes dhe daljes së tyre dhe vendparkimet. Është dhënë dhe leja për ndërtimin e portit të jahteve, por punimet ende nuk kanë përfunduar".

Nga Saranda për Ksamil trafiku i automjeteve të pushuesve është kilometrik çdo dite gjatë gushtit për shkak të prirjes së pushuesve drejt plazheve të kësaj zone.

Përparim Ahmeti një sipërmarrës hoteli me një përvojë shumëvjeçare thotë se qyteza shërben si një magnet, por nevojiten investime për të përballuar prurjet turistike dhe rritur sigurinë.

“Më shumë duhet punuar nga qeveria për investimet që rrisin sigurinë dhe kapacitete për shërbime ndaj pushuesve. Vajti vite që në Ksamil nuk po investohet nga shteti. Mungon një shëtitore e mirëfilltë për pushuesit,larg trafikut të makinave, mungojnë investimet nëpër lagje, mungojnë qendrat e mëdha të modernizuara të shërbimeve.”

Deri tani thotë zoti Ahmeti nuk janë shënuar incidente me sigurinë në plazhe por sipas tij nevojiten masa sidomos për të përcaktuar zona të posaçme për mjetet e ujit.

Mund të ketë mole të veçanta ku të rrinë skafet, motorët e ujit, se turisti ka nevojë për shumë nga këto shërbime por të ketë zona të caktuara për këto lloj aktivitete.

Aktiviteti i mjeteve private të lundrimit sidomos skafeve dhe motorrëve të ujit është kaotik në shumë zona në Shqipëri. Jo vetëm bashkitë nuk kanë përcaktuar koridoret e hyrje daljeve të këtyre mjeteve jashtë zonave ku pushojnë turistët por moskordinimi i kontrolleve bën sidomos në zonat jashtë qyteteve bregdetare të shkelen rregullat e lundrimit.

Policia kufitare mori masën të bllokimit për verifikim dokumentacioni dhjetë ditët e fundit të mbi 200 mjeteve të lundrimit ndërsa pronarët e tyre në disa zona bregdetare kanë reaguar duke kërkuar zhbllokimin e tyre.

Zëri i Amerikës pa se edhe pas masave të fundit mjete motorike lundrimi qëndrojnë të stacionuara brenda perimetrit të sigurisë dhe mjaft pushues t'u afrohen atyre por sipërmarrësit thonë se presin udhëzimet nga bashkitë dhe policia kufitare për t'i rinxjerrë mjetet motorrike në det.

Masa ekstreme e policisë është e përkohshme dhe shumë shpejt mjetet pritet të ritkhehen në lundrim ndaj vlerësohet nga specialistët e turizmit si zgjidhje e qëndrueshme krijimi i standarteve dhe rregullave të forta për shmangien e incidenteve.

Vetëm këtë vit janë shënuar tre incidente ku mjetet e lundrimit kanë goditur pushues në det apo brigjet ranore.

Incidenti më i rëndë u shënua në fillim të gushtit bregdetin e Himarës ku 7 vjeçarja Jonada Avdia që po pushonte me prindërit e ardhur nga Anglia u godit për vdekje nga skafi që drejtohej nga Komisari i policisë Arjan Tase i cili është arrestuar dhe akuzohet për “vrasje me dashje të kryer në formë indirekte”.

XS
SM
MD
LG