Lidhje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres, i shqetësuar për situatën në centralin bërthamor


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha të enjten se ishte shumë i shqetësuar nga situata në centralin më të madh bërthamor në Evropë, pasi u godit me granata në vijat e frontit në Ukrainë.

Rusia, e cila e mori nën kontroll centralin e Zaporizhzhias menjëherë pas fillimit të agresionit në Ukrainë më 24 shkurt, tha se mund ta mbyllte objektin - një veprim që Kievi tha se do të rriste rrezikun e një katastrofe bërthamore.

Zoti Guterres, duke folur me gazetarët pas bisedimeve me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, tha se pajisjet ushtarake dhe personeli duhet të tërhiqen nga centrali.

"Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Përkundrazi, duhet urgjentisht një marrëveshje për të rivendosur infrastrukturën civile të Zaporizhzhias dhe për të garantuar sigurinë e zonës," tha ai.

Moska refuzoi më herët thirrjet ndërkombëtare për një zonë të çmilitarizuar rreth centralit, e cila ende operohet nga inxhinierë ukrainas nën pushtimin rus, duke i qujatur "të papranueshme" thirrjet.

Kievi akuzon Moskën, forcat e së cilës morën centralin bërthamor në mars, se po e përdor atë si një bazë nga ku bombardon objektivat ukrainas. Ukraina thotë gjithashtu se Rusia ka goditur vetë fabrikën. Moska thotë se është Ukraina është ajo që ka goditur me granata objektin.

Zoti Zelenskiy tha pas takimit me zotin Guterres të enjten se ata kishin rënë dakord për parametrat e një misioni të mundshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në termocentral.

Ai akuzoi Rusinë për "shantazh bërthamor".

Ky terror i qëllimshëm nga ana e agresorit mund të ketë pasoja globale katastrofike për të gjithë botën," shkruante zoti Zelenskiy në aplikacionin e mesazheve Telegram.

"Prandaj, OKB-ja duhet të garantojë sigurinë e këtij objekti strategjik, çmilitarizimin e tij dhe çlirimin e plotë nga trupat ruse."

Rusia tha të enjten se mund ta mbyllte centralin më të madh bërthamor në Evropë pasi u godit nga bombardime në vijat e frontit në Ukrainë, një veprim që Kievi tha se do të rriste rrezikun e një katastrofe bërthamore.

BISEDIMET PËR PËRFUNDIMIN E KONFLIKTIT

Presidenti i Turqisë Tajip Erdogan që mori pjesë gjithashtu në bisedimet me Sekretarin Guterres dhe Presidentin Zelenskiy në Lviv, tha më pas se ata kishin diskutuar mënyrat për t'i dhënë fund konfliktit.

Zoti Erdogan tha se ata kishin biseduar për mundësinë e përdorimit të atmosferës pozitive të krijuar nga marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia për të zhbllokuar eksportet e grurit ukrainas, për të vendosur paqen e qëndrueshme.

Ai tha gjithashtu se ata diskutuan për shkëmbimin e robërve të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë dhe tha se më pas do ta ngrinte këtë çështje me presidentin rus Vladimir Putin.

"Ne i kushtojmë rëndësi të madhe kësaj çështjeje," tha presidenti Erdogan.

XS
SM
MD
LG