Lidhje

Arrestimet në Uzinën ushtarake, Peleshi: Ka arsye të dyshojmë për spiunazh


Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi

Në Shqipëri, një sërë institucionesh të sigurisë janë përfshirë në hetimin e ngjarjes së mbrëmshme pranë ish Uzinës së armëve në Gramsh, ku u arrestuan dy shtetas rusë dhe një ukrainas, pasi njëri prej tyre kishte hyrë në mjediset e brendshme, dhe bëri rezistencë ndaj ushtarakëve që e ndaluan. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deklaroi sot se ka arsye për të dyshuar për spiunazh, ndonëse siç theksoi ai, do të jenë hetimet ato që do të vlerësojnë rastin. Po sot u njoftua se katër shtetas çekë, janë ndaluar pasi dy prej tyre kishin hyrë në një nga tunelet e ish uzinës ushtarake të Poliçanit

Arrestimet në Uzinën ushtarake, Peleshi: Dyshojmë për spiunazh
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Kur kanë kaluar thuajse 24 orë, është ende e paqartë se çfarë kërkonin në ish Uzinën e armëve në Gramsh tre shtetatsit rusë dhe ukrainas të kapur mbrëmë nga autoritetet shqiptare. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deklaroi sot se ka arsye për të dyshuar për spiunazh. “Kemi shumë të drejtë të dyshojmë. Çdo shtetas i huaj që futet në një zonë ushtarake dhe për më tepër kapet duke fotografuar, dyshohet për spiunazh”, deklaroi ai për gazetarët.

Spiunazhi është dhe një nga pistat që po ndjek për momentin dhe prokuroria e cila ka rregjistruar çështjen penale mes të tjerash dhe duke ju referuar nenit 214 të Kodit penal, sipas të cilit “Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cënuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet”.

Ministrit Peleshi, u shpreh se ngjarja nuk mund të trajtohet si një incident i rëndomtë, për më tepër që 24 vjeçari rus, Mikhail Zorin, i cili kishte hyrë në mjediset e ish Uzinës, jo vetëm kishte bërë rezistencë ndaj ndalimit të tij, por dhe përdori spray paralizues ndaj dy ushtarakëve. “E vendosur edhe në kontekstin e gjërë rajonal edhe në kontekstin politik duhet vlerësuar dhe nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm civil. Por ne nuk mund të nxitohemi të nxjerrim konkluzione. Gjithsesi fakti që është reaguar dhunshëm nga këta shtetas të huaj na bën të jemi më të vëmendshëm për ta hetuar deri në fund”, theksoi ministri.

Në hetimin e rastit janë përfshirë përveç prokurorisë, si antiterrori ashtu dhe shërbimet inteligjente.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, automjeti i përdorur nga tre të huajt, kishte të paktën dy ditë që lëvizte në zonë. Bëhet fjalë për një makinë sportive, prodhim i viteve të fundit dhe me ngjyra të ndezura, e cila nuk mund të kalonte pa rënë në sy. Mësohet se të tre të huajt kishin hyrë në Shqipëri, prej shumë ditësh, në kohë të ndryshme. Njëri prej tyre, ukrainasi Fjodor Mihajlov, së bashku me automjetin ka hyrë nga Porti i Durrësit, ndërsa dy të tjerët nga aeroporti i Rinasit. Ndërsa janë marrë në pyetje, ata kanë deklaruar se kanë ardhur për turizëm. Rusja 33 vjeçare, Svetlana Timofeeva, është shprehur se është blogere. Nga ana e tij, i riu ukrainas, ka postuar dhe foto nga Uzina me mbishkrimin “Fabrikë sekrete ushtarake, diku mes maleve në Shqipëri”.

Ish Uzina e Gramshit ku para viteve ’90 prodhoheshin armë, ka ndaluar aktivitetin, ndërsa për një kohë u përdor për demontimin e municioneve të vjetra.

Për ngjarjen sot ka reaguar dhe presidenti Bajram Begaj, duke shpjeguar se po e ndjek atë me vëmendje. “Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim gjithashtu bëri të ditur se kishte komunikuar me ministrin Peleshi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Arben Kingji, për t’i uruar shërim të shpejtë dy ushtarakëve të lënduar mbrëmë. Në një postim në Twitter ambasadorja amerikane nënvizoi se “në qëndrojmë krah aleatit tonë, ndërsa autoritetet hetojnë në mënyrë të plotë për të nxjerrë në dritë faktet dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës.

Por ndërsa ngjarja e mbrëmshme tërhoqi menjëherë vëmendjen, sot pranë ish Uzinës ushtarake të Poliçanit, janë ndaluar 4 shtetas çekë. Dy prej tyre mësohet se kanë mundur të hyjnë në brendësi të tuneleve që në të kaluarën shërbenin për mbajtjen e municioneve dhe armatimeve, ku dhe janë gjetur në mengjes. Pak orë më pas, afro 1.5 kilometra larg tuneleve dhe jashtë rrethimit të Uzinës janë gjetur e shoqëruar dhe dy bashkëjetueset e tyre.

XS
SM
MD
LG