Lidhje

SPAK nis hetime ndaj ish presidentit Iir Meta


Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka nisur një hetim ndaj ish pesidentit Ilir Meta, pas denoncimit të bërë ndaj tij dhe disa personave të tjerë nga ish deputeti Halit Valteri

Në media u zbulua fillimisht një kërkesë që SPAK-u i kishte dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të patur formularin e vetdeklarimit të zotit Meta si kandidat për deputet, duke shpjeguar se kërkesa bëhej për nevojat e një procedimi penal. Më pas SPAK shpjegoi se hetimet kanë nisur pas një padie të dorëzuar në qershor nga ish deputeti demokrat Halit Valteri, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit, në listën e Partisë socialiste.

Zoti Valteri pretendon se zoti Meta është përfshirë në disa vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave, duke përmendur dhe financimin e fushatave të lobimit në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Meta reagoi me tone denigruese ndaj drejtuesit të SPAK-ut. “Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës, duke e akuzar se sipas tij, ka vendosur t’i shërbejë mafies së inceneratorëve”, shkruajti zoti Meta në rrjetet sociale duke publikuar një kërkesë të ngjashme që SPAK-u i kishte drejtuar dhe Gjendjes civile, për të mësuar nëse zoti Meta kishte ndërruar apo jo gjeneralitetet.

Në mbrojte të SPAK-ut doli menjëherë ambasadorja amerikane Yuri Kim, sipas së cilës “kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.”, shkruajti ajo në rrjetet sociale.

Më pas ambasadorja Kim, shtoi se “për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, mbyllet reagimi i ambasadores Kim.

Në fund të muajit korrik, zoti Meta u përball dhe me një shkresë së Autoritetit të Dosjeve, drejtuar parlamentit, sipas së cilës, emri i tij rezultonte në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit.

Zoti Meta e mohoi kategorikisht një fakt të tillë duke akuzuar autoritetit për flasifikim dhe manipulime. Një ditë më parë ai bëri të ditur se kishte vendosur të ngrinte padi penale ndaj këtij institucioni.

XS
SM
MD
LG