Lidhje

Rusia dhe Ukraina akuza për bombardime rreth centralit bërthamor 


A view of the Zaporizhzhia Nuclear Power Plant outside the Russian-controlled city of Enerhodar in Zaporizhzhia region, Ukraine, Aug. 22, 2022.

Në Ukrainë, shqetësimet lidhur me sigurinë në centralit bërthamor të Zaporizhzhias janë rritur. Moska dhe Kievi shkëmbyen sërish akuza për bombardime rreth impiantit, duke rritur frikën se luftimet mund të shkaktojnë një katastrofë. Ndërkohë autoritetet ukrainase filluan shpërndarjen e tabletave të jodit të premten për banorët që jetojnë pranë centralit në rast të një rrjedhje radioaktive.

Moska dhe Kievi akuzuan sërish njëra-tjetrën si përgjegjëse për sulmet me artileri rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhias. Kohët e fundit ky central ka qenë në vëmendje të faktorit ndërkombëtar, për shkak të shqetësimeve për një katastrofë në gjithë Evropën.

Zaporizhzhia, centrali më i madh bërthamor në Evropë, ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që nga fillimi i muajit mars, por fuksionimi i tij vazhdon të kontrollohet nga personeli ukrainas.

Kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës “Energoatom” njoftoi se në 24 orët e fundit trupat ruse bombarduan përsëri territorin e impiantit.

Po ashtu një zyrtar ukrainas tha se raketat “Grad” dhe predha artilerie goditën qytetet Nikopol dhe Marhanets, rreth 10 kilometra nga centrali bërthamor i Zaporizhzhias. Nga ana tjetër ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat ukrainase për bombardimet rreth centralit.

Sipas autoriteteve ruse ishin hedhur gjithsej 17 predha, por sipas tyre niveli i rrezatimit në central vazhdonte të ishte në kufij normal.

Një inxhinier që punon në uzinë i tha Zërit të Amerikës se forcat ruse kanë vendosur artileri dhe raketa brenda dhe rreth sipërfaqes së uzinës dhe kanë kryer shpërthime pranë impiantit në një përpjekje të dukshme për të diskredituar ushtrinë ukrainase.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha të premten se situata në Zaporizhzhia është “shumë e rrezikshme”. Komentet e tij vijnë pasi centrali rifilloi pas një ndërprerjeje, furnizimin me energji elektrike të Ukrainës. Impianti ka nevojë për energji për të vënë në punë sistemin e ftohjes së reaktorëve dhe çdo ndërprerje e zgjatur e energjisë mund ta vendosë centralin në rrezik shkrirjeje.

Në fjalimin e tij të rregullt në mbrëmje zoti Zelenskyy tha se "çdo veprim i Rusisë që mund të shkaktojë mbylljen e reaktorëve, do ta vendoste edhe një herë centralin një hap larg katastrofës".

Dje autoritetet ukrainase filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët që jetojnë pranë centralit në rast të një rrjedhje radioaktive.

Agjencia e energjisë atomike e OKB-së është përpjekur të dërgojë një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në garantimin e sigurisë së centralit. Zyrtarët thanë se përgatitjet për vizitën vazhdonin, por mbetet e paqartë se kur mund të ndodhte një gjë e tillë.

XS
SM
MD
LG