Lidhje

Kosovë: Greva e arsimtarëve pamundëson fillimin e vitit të ri shkollor 


Punonjësit e sektorit të arsimit në Kosovë janë hedhur në grevë duke pamundësuar fillimin e vitit të ri shkollor.

Në Kosovë, 1 shtatori dita kur pritej të fillojë procesi i ri mësimor, e gjeti vendin me grevë të përgjithshme të punonjësve të arsimit.

Greva që ka filluar nga 25 gushti, sipas sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do të vazhdojë deri sa të plotësohet kërkesa e saj për mbështetje financiare prej 100 eurosh për të gjithë punonjësit e arsimit, deri sa të miratohet ligji për paga, që synon të caktojë pagat për sektorin publik.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj thotë se greva është respektuar nga shumica e shkollave në Kosovë.

“Nuk është ky moment që na gëzon sepse me një shtator sa mirë do të tingëllonte zilja por kemi ardhur në një pozitë pa dialog, asnjë vijë sa ke bërë qeveria që të dialogojë, i kemi harxhuar të gjitha madje kemi dërguar edhe ndërmjetësuesin që të ndërhyjë që të ulemi dhe t’i zgjedhim çështjet dhe erdh përfundimi që ose ne udhëheqësit të dorëzohemi dhe të ju tradhtojmë ose të shkojmë në atë që po thotë edhe ligji për greva në grevë të përgjithshme sepse i kemi harxhuar të gjitha”, tha ai.

Ai tha se sindikata nuk do të lëvizë nga kërkesat e saj ndërsa i bëri thirrje qeverisë që t’u jap fund kërcënimeve ndaj mësimdhënësve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bëri thirrje të enjten sindikatave që të ndalin grevat pasi që sipas tij, mundësitë e vendit janë të kufizuara.

“Unë e kuptoj që greva është instrument i sindikatave mirëpo sindikatat vet nuk bën të jenë instrument i bojkotit të qeverisë e të shtetit. Shkolla është shteti, shkolla nuk bën të bojkotohet, shkolla duhet ta ketë edhe mësimdhënien duhet ta ketë edhe nxënësin meqenëse është e drejt elementare njerëzore për secilin fëmijë edukimi dhe këtë e parasheh edhe kushtetuta edhe ligjet tona, andaj unë besoj që do mbizotërojë racionaliteti dhe do të vazhdoj mësimi”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos paguaj të gjithë ata që mbajnë grevë dhe ka ngjallur reagimin e opozitës dhe sindikatave që thanë se kanë ngritur kallëzim penal në gjykatë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, për shkak ndalimit të pagesave për mësimdhënësit që janë përfshirë në grevë, të cilës i janë bashkuar edhe shërbyesit civilë të institucioneve qendrore dhe lokale.

Kryeministri Kurti tha se nuk mund të paguhen ata që nuk e kryejnë punën.

“Nuk ka nga ana e qeverisë dhe shtetit tonë kurrfarë urrejtje, hakmarrje apo inati ndaj askujt. Por një gjë duhet ta kuptoni, nuk mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë prandaj janë bërë ndryshime demokratike në Kosovë në shkurtin e vitit të kaluar. Njerëzit duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës, nuk duhet të paguhen për mospunën, nuk duhet të paguhen pse nuk punojnë, kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë njerëzore”, tha ai.

Qeveria e Kosovës tashmë ka hartuar projektligjin për pagat, ndërsa ka bërë të ditur se nga java e ardhshme do ta hedh atë në debat publik, para se të dërgohet për miratim në parlament.

XS
SM
MD
LG