Lidhje

Ekipi i OKB-së vazhdon inspektimin e centralit bërthamor të Zaporizhias


Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur të premten se në Ukrainën jugore vazhdojnë luftimet e ashpra, përfshirë sulmet me artileri në Enerhodar, një rajon pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhias. Zhvillimet vijnë ndërsa objekti po inspektohet nga ekspertë të agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore.

Në deklaratën e ministrisë thuhej gjithashtu se stërvitjet e përbashkëta strategjike të Rusisë me aleatët e saj, në kuadër të Vostok 22, që nisën të enjten, “dështuan në garantimin e aftësive ushtarake për të kryer operacione komplekse në shkallë të gjerë. Skenari i stërvitjeve të tilla është tërësisht i paracaktuar, nuk inkurajon iniciativën dhe synon kryesisht t’u bëjë përshtypje udhëheqësve rusë dhe audiencës ndërkombëtare”.

Ekipi i ekspertëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara përfundoi të enjten fazën e parë të inspektimit mbi çështje të sigurisë në centralin e Zaporizhias mes luftimesh të ndezura pranë objektit. Ekspertët do të vazhdojnë punën edhe gjatë ditës së sotme.

Të enjten, Presidenti Voldymyr Zelenskyy tha se Ukraina bëri gjithçka që ky mision të realizohej. Ai akuzoi Moskën për përpjekje që misioni i OKB-së të dështojë, por shtoi se një gjë e tillë do të parandalohet.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike Rafael Grossi, i cili drejton grupin e inspektimit prej 14 anëtarësh, u tha gazetarëve të enjten se agjencia po punon për të "patur një prani të vazhdueshme" në objektin më të madh bërthamor të Evropës. Ai tha se ishte "e qartë" se "integriteti fizik" i centralit "është dëmtuar disa herë".

Zoti Grossi shtoi se vazhdonte të ishte i shqetësuar lidhur me sigurinë e impiantit. Inspektorët e OKB-së arritën në central megjithë një rritje të aktivitetit ushtarak në afërsi të tij.

Sulmet detyruan mbylljen e një prej reaktorëve bërthamorë të termocentralit përpara se të mbërrinin inspektorët.

Rusia mori nën kontroll impiantin e Zaporizhias që në ditët e para të sulmit në Ukrainë, por puna brenda tij drejtohet nga inxhinierët ukrainas. Kievi e Moska kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme që kanë rrezikuar të godasin centralin bërthamor.

XS
SM
MD
LG