Takimi në Beograd i nismës Ballkani i Hapur, që sërish u mbajt pa Kosovën, u përshkua nga shqetësimet për dimrin që po vjen, përballe kërcënimeve nga mungesa e energjisë dhe ushqimeve për shkak të situatës së krijuar në botë me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Pjesëmarrësit hodhën firmat e tyre në marrëveshjet që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, mirëkuptimin në fushën e kinematografisë dhe veprimtarive audio-vizive në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë si dhe në një plan operativ në fushën e emergjencave civile.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se suksesi i projektit Ballkani i Hapur varet shumë nga ajo se sa do të forcohet paqja dhe qëndrueshmëria në rajon.
“Nisma Ballkani i Hapur i sjell shpresë gjithë kësaj pjese të botës e cila ka qene gjithnjë e mbarsur me keqkuptime dhe me konflikte në kohët më të mira”, tha presidenti serb.
Nisma u mblodh një ditë më parë në Beograd në një panair verërash. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se dita e djeshme ishte dita më e bukur e Ballkanit të Hapur.
“Mund të kishte qenë një ditë tipike e keqe për Ballkanin në tërësi dhe në vend se të hapnim dyert për njerëzit e punës, për njerëzit e tokës, për njerëzit e prodhimit, të ushqimit dhe për shumë të tjerë nga e gjithë bota, mund t’i kishim haur dyert një lajmi tjetër të keq, për tension, për konflikt, për rrezik lufte e të gjitha me radhë. Fatmirësisht ka ndodhur e para”, tha ai.
Kryeministri Rama iu referua fillimit të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat që nga e enjtja njohin dokumentet e e identifikimit të njëra tjetrës.
Ai vlerësoi me këtë rast veprimet e presidentit serb duke theksuar se ai “dha një shenjë shumë të qartë për të gjithë se zgjedhja e parë është paqja dhe zgjidhja për njerëzit”, ndërsa nënvzioi se nuk do kishte qenë nevoja të shpenzohej gjithë ajo energji dhe të humbej gjithë ajo kohë nëse edhe Kosova edhe vendet e tjera do ishin në Ballkanin e Hapur.
Kosova refuzon t’i bashkohet nismës në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj, por edhe që të mos bëhet pjesë e nismave që sic thonë udhëheqësit e saj, synojnë zëvendësimin e proceseve integruese evropiane.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën dhe i kanë bërë thirrje Kosovës të bëhet pjesë e saj, por kanë nënvizuar se ajo është një nismë ekonomike që mund të ketë sukses vetëm nëse do të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.
Takimeve të fundit në cilësinë e vëzhguesve u janë bashkuar përfaqësuesit e Bosnjës dhe Malit të Zi.
Presidenti serb, Vuçiç, kryeministri shqiptar Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski thanë se dimri që po vjen do të jetë një periudhë e vështirë, madje kryeministri Kovaçevski tha se do të jetë më i vështiri që pas Luftës së Dytë Botërore.
Ata u pajtuan të formojnë një komision të përbashkët për të ndihmuar njëri-tjetrin përballe kërcënimeve nga mungesa e energjisë dhe ushqimit, duke e cilësuar shumë të rëndësishme marrëveshjen për sigurinë ushqimore sipas së cilës çdo vendim i mundshëm për ndalimin eksporteve të drithërave dhe prodhimeve bujqësore, nuk do të përfshijë vendet anëtare të nismës. Po ashtu ata vunë theksin tek shkëmbimet energjetike.
Nisma Ballkani i Hapur e cila deri në korrik të vitit të kaluar njihjej si “Mini-Shengeni Ballkanik”, ka nxitur shume reagime e vlerësime nga më të ndryshmet, Kritikët e saj vënë theksin te pohimi se është Serbia ajo duke qenë ekonomikisht më e fuqishme do të përfitojë më së shumti nga kjo nismë.