Lidhje

Kosovë, edhe 6 të arrestuar të dyshuar për trafikim e përdhunim të të miturës


Kosovo/Justice
Kosovo/Justice

Autoritetet e rendit në Kosovë njoftuan të shtunën se kanë arrestuar edhe gjashtë persona tjerë nën dyshimin për trafikimin dhe përdhunimin e vajzës 11 vjeçe në Prishtinë.

Kosovë, edhe 6 të arrestuar të dyshuar për trafikim e përdhunim të të miturës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Sipas njoftimit, personat e arrestuar të moshës madhore dyshohen që në muajin qershor të këtij viti, janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të trafikimit me njerëz, shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit dhe përdhunimit.

Kjo e çon në 11 numrin e të arrestuarve që dyshohen se kanë kryer vepra penale ndaj të miturës, rasti i së cilës u bë publik në fillim të javës që po e lëmë pas. Pesë persona, tre prej tyre të mitur, tashmë ndodhen në paraburgim të dyshuar për përdhunimin e saj me 27 gusht në një park të kryeqytetit.

Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës, ka nxitur reagime të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilët tërheqin vërejtjen për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë ndaj tyre.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kritikoi sot siç tha reagimin e vonuar të prokurorisë lidhur me këtë rast ndërsa bëri thirrje për dorëheqje të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar me këtë rast në muajin qershor.

Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës, i ka quajtur të paqëndrueshme deklaratat e ministres Haxhiu. Nëpërmjet një komunikate për media prokuroria tha se trajtimi i këtij rasti është bërë “ne përputhje me të gjitha dispozitat ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale”.

Ngjarja bëri që drejtori i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe shefi i drejtoratit për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve, Ali Gashi, të japin dorëheqje.

Grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë paralajmëruar protesta të reja për javën e ardhshme duke kërkuar dënime për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit të mjeteve vetmbrojtëse nga gratë dhe vajzat.

Rrjeti i Grave të Kosovës në një reagim tha se luftimi dhunës ndaj gruas në vend duhet të jetë urgjencë kombëtare dhe se sipas tyre mostrajtimi i duhur nga shteti i rasteve të dhunës po e nxit këtë dukuri.

XS
SM
MD
LG