Lidhje

Kosovë, vazhdon greva në arsim


Kosovë, vazhdon greva në arsim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Kosovë, vazhdon greva në arsim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përfshi të shtunën në diskutime për të gjetur një zgjidhje që i jep fund grevës në sistemin e arsimit.

Presidentja Osmani takoi përfaqësuesit e sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilët janë hedhur në grevë duke pamundësuar fillimin e vitit të ri shkollor.

Greva që ka filluar nga 25 gushti, sipas sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do të vazhdojë deri sa të plotësohet kërkesa e saj për mbështetje financiare prej 100 eurosh për të gjithë punonjësit e arsimit, deri sa të miratohet ligji për paga, që synon të caktojë pagat për sektorin publik.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj tha pas takimit me presidenten se mungesa e dialogut nga qeveria ka çuar vendin në grevë.

“Ne e lutem presidenten që ka autoritet dhe është njeriu i parë i Kosovës ta shfrytëzoj pozitivisht autoritetin e saj që të ndikojë që sot, që nesër të ulemi me përfaqësuesit e qeverisë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës tha sot gjatë ditës se do të mbështet punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit për shkak të krizës me rritjen e çmimeve në vend.

Por zoti Jashari tha se kjo nuk përmbushë kërkesat e sindikatave.

“Ne kemi qenë të qartë, qeveria mund të jep pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme kujtdo qoftë në Kosovë por qeveria duhet të ulet me ne dhe me realizu kërkesat tona pra 100 euro çdo muaj deri sa të bëhet ligji i Pagave, ligj ky i pranuar edhe nga sindikata edhe qeveria, të formohen grupe të përbashkëta qeveri-sindikata dhe të punojmë ligjin e pagave bashkërisht dhe të japim edhe ne mendimet tona”, tha ai.

Ai tha se sindikata nuk do të lëvizë nga kërkesat e saj dhe se greva do të vazhdojë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bëri thirrje të shtunën mësimdhënësve që të mos bojtojnë mësimin nëpërmjet siç tha grevës ekstremiste.

“Organizimi sindikal është tejet i rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve mirëpo kërkesat absurde, iracionale që në fakt më shumë janë dëshira arbitrate se sa mundësi reale nuk mund të ecin përpara. Në përputhje me buxhetin e shtetit, me strukturën ekonomike dhe krizën në të cilën po kalojmë ne do t’i marrim masat tona”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos paguaj të gjithë ata që mbajnë grevë dhe ka ngjallur reagimin e opozitës dhe sindikatave që thanë se kanë ngritur kallëzim penal në gjykatë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, për shkak ndalimit të pagesave për mësimdhënësit që janë përfshirë në grevë, të cilës i janë bashkuar edhe shërbyesit civilë të institucioneve qendrore dhe lokale.

Partia Socialdemokrate në opozitë publikoi sot një video në faqen e tyre të Facebook-ut ku shihen aktivistët e saj duke e gjuajtur me miell ministrin e Financave, Hekuran Murati. Kjo parti e quajti këtë aksion simbolik për punëtorët.

Këshilli i Prindërve të Kosovës tha se bllokimi i plotë i sistemit arsimor është i papranueshëm ndërsa u bëri thirrje qeverisë dhe sindikatës së arsimit të gjejnë zgjidhje grevës.

Qeveria e Kosovës tashmë ka hartuar projektligjin për pagat, ndërsa ka bërë të ditur se nga java e ardhshme do ta hedh atë në debat publik, para se të dërgohet për miratim në parlament.

XS
SM
MD
LG