Lidhje

Kosovë, qeveria dorëzon për miratim në parlament dokumentet e Vettingut


Kosovë, qeveria dorëzon për miratim në parlament projektligjin për vettingun
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Qeveria e Kosovës i dorëzoi të dielën parlamentit dokumentet për procesin e Vettingut në drejtësi, me anë të të cilit synohet reforma në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Vettingu është proces që synon shqyrtimin e së kaluarës së bartësve të sistemit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial të vendit.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha gjatë një konference për shtyp se Vettingu në drejtësi është i domosdoshëm për shkak të siç tha neglizhencës, mosveprimit dhe pandëshkueshmërisë.

Gjyqtarët e prokurorët tanë konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, por për shkak të mosveprimeve të tyre apo veprimeve të gabuara, ne po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht e financiarisht gratë, vajzat e korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu tha se të gjitha dokumentet për Vetting janë mbështetur në opinionin e Komisionit të Venecias.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se reformimi i sistemit të drejtësisë nuk mund të bëhet pa Vetting.

Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi përsërit veprën e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi e edhe ata më skeptikët për vettingun”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria ka kritikuar sistemin e drejtësisë ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e prokurorit të prokurorisë Themelore në Prishtinë për siç thuhet reagimin e vonuar në rastin e përdhunimit të një vajze të mitur 11 vjeçare, javën e kaluar në Prishtinë.

Autoritetet e rendit në Kosovë tashmë kanë arrestuar 11 persona për dy raste të ndryshme të përdhunimit të së miturës. Gjashtë prej të arrestuarve dyshohen që në muajin qershor kanë përdhunuar të miturën ndërsa pesë të tjerë në fund të muajit gusht të këtij viti.

Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës, ka nxitur reagime të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilët tërheqin vërejtjen për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallën e ulët të ndëshkueshmërisë ndaj tyre.

Kryeministri Albin Kurti kritikoi sistemin e drejtësisë për dënimet e dhëna në rastet e krimeve seksuale në Kosovë.

Më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve seksuale, mbi 85 për qind e këtyre rasteve viktima vajza të mitura dhe mbi 140 prokurorë nga gjithsej rreth 200 sa i ka Kosova, i bie 70 për qind e prokurorëve kanë lejuar parashkrimin e këtyre rasteve, vetëm kjo pa i marr edhe veprat tjera penale ku dihen në çfarë gjendje trajtohen për shembull korrupsioni e krimi i organizuar, jo thërrasim por bërtasim për Vetting”, tha ai.

Por, Këshilli Prokurorial i Kosovës nëpërmjet një reagimi tha se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tendencioze për sistemin prokurorial. Ky këshill tha se gjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të këtij viti, është parashkruar vetëm një rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale.

Përdhunimi i së miturës në Prishtinë bëri që drejtori i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe shefi i departamentit për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve, Ali Gashi, të japin dorëheqje. Ndërsa shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë paralajmëruar sërish protestë për të hënën me kërkesat për dënimet e duhura për përdhunuesit dhe lejimin e mjeteve mbrojtëse për femrat në Kosovë.

XS
SM
MD
LG