Lidhje

Përkujtohet 6 vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 25 vjetori i ndarjes së saj nga jeta


Banorët e Dioqezës së Sapës, ku përfshihen Zadrima, Puka, Kukësi dhe Tropoja përkujtuan sot 6 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 25 vjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Ipeshvi i Sapës imzot Simon Kulli thotë se katedralja është ndërtuar në vitin 2008 në qendër të Vau Dejës dhe i kushtohet bamirëses me origjinë shqiptare, Nënë Terezës, në nderim të veprës së saj në ndihmë të më të varfërve.

“Katedralja jonë mban edhe emrin e kësaj shenjtore shqiptare, Nanës tonë Tereze. Është e veçantë sepse Nana Tereze ka dhuru jetën e saj të sëmurëve dhe të varfërve ndër më të varfër. Dhe Dioqeza jone e Sapës mundohet të ecë në gjurmët e kësaj shenjtëreshe duke ndihmu të sëmurët dhe të varfërit”.

Në meshën kushtuar bamirëses së njohur me origjinë shqiptare, ipeshkvi i Giacomo Morandi, i dioqezës Regio Emilia, tha se Nënë Tereza vazhdon t’i flasë njerëzimit me jetën dhe veprën e saj.

“Unë besoj se kjo është një prej mësimeve të mëdha që kjo grua e madhe na jep, na dhuron. Që t’i duam vëllezërit dhe motrat tona duhet t’i kuptojmë, të zhytemi në jetën e tyre, duhet të bashkëndajmë vuajtjet e tyre”.

Ashtu si pjesa më e madhe e fshatrave dhe qyteteve në Veri të Shqipërisë, Vau Dejës është një zonë me vështirësi ekonomike dhe probleme sociale për banorët e saj. Kryebashkiaku Mark Babani thotë se, vitet e fundit këtu është ngritur një qendër bamirësie dhe një tjetër në ndihmë të të moshuarve.

“Bashkia e Vau Dejës është me fat se ne kemi Nënë Terezën, një shenjtore të madhe që, me gjanat e vogla ka ditë me ba punë të mëdhaja. Edhe Bshkia e Vau Dejës ka këtë symbol. Ne kemi shtëpinë e bamirësisë që sot mbush 10 vjet nga krijimi i saj”.

Pas meshës së shenjtë banorët e Vau Dejës u lutën përpara shtatores së Nënë Terezës, të vendosur në afërsi të katedrales që mban emrin e saj.

Motrat e Nënë Terezës prej vitesh shërbejnë në zonat më të thella në Veri të Shqipërisë, duke u ardhur në ndihmë të varfërve, personave me aftësi të kufizuara dhe të braktisurve. Motër Maksimina thotë se në zemrën e saj është një ditë e lumtur, sepse i kujton fjalët e Nënë Terezës, e cila thoshte se nuk dashurojmë me fjalë, por dashurojmë me vepra. Ndërsa motër Marija thotë se, është e sigurtë se Nënë Tereza është sot e lumtur që po festojmë ditën e shenjtërimit të saj me njerëzit e varfër dhe të sëmurë.

Përkujtimi dhe nderimi për shenjtoren me origjinë shqiptare Nënë Terezën, për imzot Simon Kullin duhet të bëhet çdo ditë përmes veprave të vogla në shërbim të njerëzve në nevojë.

XS
SM
MD
LG