Lidhje

Erdogan: Të gatshëm të ndihmojmë zgjidhjen e problemeve Kosovë – Serbi


Presidenti turk, Reccep Tayipp Erdogan, tha të mërkurën në Beograd se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kritikoi qasjen e disa vendeve perëndimore ndaj Rusisë.

Presidenti turk qëndroi të mërkurën në Serbi në kuadër të një vizite në rajon, gjatë së cilës të dyja vendet nënshkruan disa marrëveshje, përfshirë edhe atë për lëvizjen e udhëtarëve vetëm më leje të njoftimit.

Në një konferencë me gazetarë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, presidenti turk përgëzoi marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja palëve. Marrwveshja pasoi një periudhe përpjekjesh diplomatike perëndimore për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një veprim i tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

“Jemi të kënaqur që është arritur marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për kalimin e kufijve me letërnjoftime. Sa i përket targave, shpresoj që të arrihet marrëveshje sa më shpejt”, tha presidenti Erdogan.

Ai tha se është i gatshëm të ofrojë mbështetjen për tejkalimin e problemeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse siç tha, Ballkani nuk mund të tolerojë më kësi lloj problemesh.

Presidenti Erdogan tha se vendi i tij ndjek një politikë të drejtpeshimit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa e cilësoi politikë provokuese qasjen e perëndimit ndaj Moskës.

Më herët gjatë ditës presidenti rus Vladimir Putin u kërcënua se do të ndërpres furnizimet nëse Bashkimi Evropian vendos një kufi mbi çmimin e gazit rus.

"Kur Rusia ndaloi rrjedhën e gazit, papritur, çmimet u rritën në Evropë. Tani të gjithë janë të shqetësuar se si do t'i mbijetojnë dimrit. Pse nuk e keni menduar më parë për këtë? Rusia ka në dorë një letër kaq të rëndësishme. Ju duhet të kishit menduar më parë për këtë”, tha ai.

Presidenti turk tha se Rusia nuk duhet të nënçmohet ndërsa tërhoqi vërejtjen se asnjëra palë nuk është duke e fituar luftën në Ukrainë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se ata që mendojnë se Rusia do ta humbë luftën, duhet të bëhen gati për një dimër të rëndë

Serbia i vetmi vend që ndonëse aspiron integrimet evropiane, nuk i ka vendosur sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë, varet në tërësi nga gazi rus dhe është venë në përpjekje të gjejë rrugë të tjera furnizimi.

Presidenti serb i kërkoi ndihmë presidentit Erdogan për të përballuar dimrin, ndërsa tha se po planifikon blerjen e dronëve Bayraktar vitin që po vjen.

XS
SM
MD
LG